Bllokada e Kuvendit/Fatmir Sejdiu: Nevojë urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike për të arritur një marrëveshje

11:04 | 26 Maj 2025
E.G

Ish-Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu ka shkruar për bllokimin e Kuvendit duke e quajtur një situatë të pazakonshke institucionale.
Me anë të një reagimi në Facebook, ai tha se kjo gjendje po reflekton mungesë të konsensusit politik dhe gatishmërisë për kompromis.

Kjo sipas tij, dëmton drejtpërdrejt stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

“Bllokimi i zgjedhjes së kreut të Kuvendit të Kosovës paraqet një situatë të pazakonshme institucionale dhe politike. Pas më shumë se 21 tentimeve të pasuksesshme, Kuvendi vazhdon të jetë jo-funksional, çka e paralizon jetën parlamentare dhe pengon formimin e qeverisë së re. Kjo gjendje po reflekton mungesë të konsensusit politik dhe gatishmërisë për kompromis, duke dëmtuar drejtpërdrejt stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.”, ka shkruar ai.
Ai thekson nevojën urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike dhe fleksibilitet, duke u angazhuar në dialog serioz për të arritur një marrëveshje

“Është nevojë urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike dhe fleksibilitet, duke u angazhuar në dialog serioz për të arritur një marrëveshje. Bashkëpunimi ndërpartiak është çelës për zhbllokimin e situatës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve.”, u shpreh Sejdiu.

Ish-presidenti Sejdiu thekson se me vonimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, rrezikohet edhe stabiliteti politik në vend.

“Nëse kriza vazhdon, rrezikohet jo vetëm puna e Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, por edhe stabiliteti politik në vend. Pasojat mund të përfshijnë: zgjedhje të reja të parakohshme, krizë të besueshmërisë në institucione dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.”, ka shkruar mes të tjerash ai.

“Shoqëria jonë ka nevojë për institucione funksionale dhe për angazhim të përbashkët politik që u përgjigjen pritjeve të qytetarëve për zhvillim, stabilitet dhe përparim demokratik. Vetëm përmes paqes publike, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin tonë.”, ka theksuar ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale