Blerta Deliu i kërkon Haxhiut të kompletojë KQZ-në sipas Kushtetutës

12:22 | 10 Prill 2026
E.K

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të kompletojë përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke siguruar vendimmarrje të paanshme.

Ajo theksoi se pas shënimit të Ditës së Kushtetutës është e domosdoshme të diskutohet edhe për, siç tha ajo, mungesën e respektimit të aktit themeltar të shtetit nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Deliut, PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, gjë që, sipas saj, është konfirmuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile.

“Dua të them që dje është përmbyllur afati 60 ditor të KQZ-së, afat që nuk është respektuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor e reflekton vetëm numrin e grupeve parlamentare pavarësisht numrin e deputetëve”.

“PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, këtë e kanë konfirmuar edhe organizatat e Shoqërisë Civile. PDK me këtë rast kërkon nga U.D e presidentes që ta kompletojë përbërjen e KQZ ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Kërkojmë që të jetë e paanshme në vendimmarrje”, tha Deliu