Biznesmenët shqiptarë të diasporës mblidhen në Prishtinë, të interesuar për të investuar në Kosovë

09:24 | 24 Maj 2022 | Sahide Dedushi

Kryetarët e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, janë mbledhur në Prishtinë, dhe po shohin mundësitë për të investuar në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Ata do të kenë para vetes një agjendë me shumë takime  e vizita.

Organizatori, Naim Dedushaj, tha për arbresh.info se bordi i këtij rrjeti ka mbledhur kryetarët nga Evropa, Amerika, Australia e Turqia.

“Agjenda është mjaftë e ngjeshur. Do të jemi sot te presidentja, Vjosa Osmani. Pastaj do të vazhdojmë në Gjilan, tek një investim i diasporës. Më pas jemi në Prizren dhe Kukës”, deklaroi Dedushaj.

Sipas agjendës, në orën 12:00 presidentja, Vjosa Osmani do të dekorojë Christopher Hyland për angazhimin dhe kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.

E presidenti i RrBDSh, Nazër Mehmeti, pas tri viteve ndodhet në Prishtinë.

“Unë edhe pse pas tri viteve fatkeqësisht, jam sot prapë bashkë me ju, dhe do të përpiqemi të shohim se çka mund të kontribuojmë. Po lobojmë në Amerikë, dhe puna po shkon shumë mirë”, deklaroi Mehmeti.

Tutje në agjendë, të mërkurën, Hyland do të dekorohet nga Universiteti i Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ me titullin Doktor Honoris Causa.

Sekretari i RrBDSh, Ismet Smajli, tha se janë mbledhur pas një kohe të gjatë shkaku i COVID.

Sipas tij, këto takime do të inkurajojnë edhe anëtarë që të aktivizohen edhe më shumë për të investuar në Kosovë.

“Ky është koncepti që nga fillimi. Kemi një agjendë shumë të mirë. Qëllimi i vetëm është që të kemi pjesëmarrës të ri, dhe sidomos biznesmenë të fortë”, tha Smajli.

Ata do të takohen me prodhues kosovarë për t’i dalë në ndihmë, dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit me ta.

Në kuadër të aktiviteteve, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, do të shpallet qytetarë nderi i Prizrenit.

Në ditën e fundit të aktiviteteve, biznesmenët shqiptarë të diasporës do të takohen edhe me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale