Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

11:16 | 8 Dhjetor 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ia ka dërguar një letër zyrtare presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës. Në tekstin e letrës bie në sy një qasje që shkon përtej interesit partiak dhe zgjedhor, duke e vendosur perspektivën europiane të Kosovës mbi çdo rivalitet politik.

Në qendër të mesazhit të tij, Hamza thekson se Kosova duhet trajtuar si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se sanksionet po e dëmtojnë vendin në momente kyçe për integrimin europian dhe euroatlantik.

“Vendit tonë duhet t’i jepen të njëjtat mundësi, mjete dhe mbështetje si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan ai.

Duke reflektuar mbi vitin sfidues që ka kaluar Kosova, me tri procese zgjedhore brenda një viti, Hamza shpjegon se këto janë dëshmi të “qëndrueshmërisë dhe pjekurisë së demokracisë së Kosovës”.

Ai thotë se proceset zgjedhore janë zhvilluar “demokratikisht, me transparencë dhe paqësisht”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme politike.

Në letrën e tij, Hamza risjell në vëmendje sakrificat dhe obligimet që Kosova ka marrë përsipër në rrugën e integrimit, përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara. Ai e quan këtë një kërkesë të imponuar vetëm mbi Kosovën, e cila “fatkeqësisht është shndërruar në një instrument monoetnik”.

Por, pjesa më shprehëse e letrës është thirrja e tij për unitet dhe qasje të përbashkët shtetërore ndaj interesave strategjike.

“Pavarësisht se kush do t’i udhëheqë institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve, vendi ynë duhet të ketë të njëjtat mjete dhe mbështetje si të gjitha të tjerat në rajon. Vazhdimi i masave e privon Kosovën nga këto mundësi dhe rrezikon të minojë vlerat demokratike dhe proevropiane”.

Kjo fjali e përmbledh filozofinë e letrës: çështja e sanksioneve nuk është e një qeverie apo partie, por e vetë shtetit të Kosovës.

Në përmbyllje, Hamza i bën thirrje BE-së që të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar vendimin që do t’i hapte rrugë një faze të re të marrëdhënieve.

“Kërkoj me respekt heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”.

Letra reflekton një pozicion që Hamza e paraqet jo vetëm si lider partie, por edhe si një figurë burrështetasi që synon stabilitet, partneritet dhe trajtim të drejtë të Kosovës në proceset euroatlantike.

Të ngjashme