Bashkëpunimi me Shoqërinë Civile i rëndësishëm për zbatimin e MSA-së

15:52 | 8 Mars 2016
M. A.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim që tashmë është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, e po ashtu edhe në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së, do të kalojë në faza të ndryshme për zbatim dhe monitorim të saj.

Për këtë do të themelohen struktura të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e rol kyq këtu do të ketë edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane.

Kryetarja e këtij komisioni Teuta Sahatqija, ishte e ftuar në punëtorinë“Strukturat institucionale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ajo foli gjatë për proceset që do të kalojë Kosova në tri vitet e ardhshme, deri tek rishqyrtimi i asaj që është zbatuar rreth MSA-së.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit tenton ta ofron Kosovën me BE-në dhe ta integrojë atë në rrjedha politike dhe ekonomike.

Thuhet po ashtu se synimet e këtij asociimi janë mbështetja e Kosovës për forcimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës, të kontribuimit në stabilitetin politiko – ekonomik dhe institucional, dhe si i tillë kontribuimi me stabilizimin e rajonit dhe bashkëpunimi rajonal.

Sahatqija, si kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, foli më shumë për aspektet ekonomike dhe tha se Kosovës i duhet shumë angazhim për të ardhë deri tek një fazë ku do ndryshohen reformat në ekonomi, fuqizohet sektori privat, ngritët cilësia e produkteve vendore dhe firmat kosovare që të depërtojnë në tregun shumë – milionësh të konsumatorëve të BE-së.

E para kësaj ajo tregoi për krijimin e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim (KSA) dhe krijimin e komisionit të përbashkët parlamentar në mes të parlamentit të Kosovës dhe atij Evropian, si mekanizma që do të përcjellin zbatimin e MSA-së.

Por hiq më pak i rëndësishëm në këtë mes është vlerësuar të jetë edhe bashkëpunimi me Shoqërinë Civile. Sahatqija, por edhe zëvendësministri për Integrime Evropiane Ramadan Ilazi, vlerësuan lartë dhe shumë të nevojshme bashkëpunimin me Shoqërinë Civile.

Ata falënderuan Grupin për Studime Juridike dhe Politike për rekomandimet që janë dhënë deri më tani. Madje, Sahatqija konfirmoi se 90 përqind e rekomandimeve të këtij grupi janë përfshirë në punën e institucioneve për integrime.

 

“Ne do të mbajmë takime të rregullta me shoqërinë civile. Pasi që këta të fundit e pasuruan…. Gjithashtu ju falënderoj për kontributin që organizata juaj po jep komisionit të integrimeve evropiane dhe të gjitha rekomandimet që ju i dërgoni të përpunuara jashtëzakonisht mirë. E dimë që nëse jo 100 përqind, 90 përqind prej tyre i kemi inkorporuar në punën tonë”, tha Sahatqija.

Zëvendësministri për Integrime Evropiane Ramadan Ilazi, pos që foli për ndihmën që marrin nga Shoqëria Civile dhe rekomandimet e tyre i quajti të vlefshme, foli pak edhe për problemet që mund të ketë Kosova në këto procese. Si problem i parë për Ilazin është mos –njohja nga pesë shtetet e BE-së.

Megjithatë Ilazi, tha gjatë punëtorisë se pesë shtetet janë dakorduar që të përkrahin perspektivën evropiane për Kosovën.

Ilazi ka bërë me dije se për proceset e ardhshme të aderimit të Kosovës në BE, kësaj të fundit i kanë përgatitur edhe planin e asistencës në vlerë prej 38 milion euro për vitin 2017 për të arritur konkurrueshmërin? ? ekonomike. Por, ai ka treguar edhe për planin kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Zëvendësministri Ilazi ka treguar se është duke bashkëpunuar me Shqipërinë për përk thimin e AKI-së, për shkak se janë më shumë se 200 mijë faqe dhe çdoherë e më shumë ato rriten.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin gazetarë profesionist, zyrtar të larte të institucioneve të Kosovës, përfshire këtu ministritë dhe Kuvendin e Kosovës, por jo vetëm.

E pranishme ishte edhe Këshilltarja për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë Dinka Zivalj, e cila tregoi se si të komunikohet procesi i MSA-së në diskursin publik dhe rëndësinë e informimit të publikut në perspektivën e BE-së.

Ndërsa ish zëvendësministri për Integrime Evropiane në Shqipëri Gentian Elezi. Kur foli për MSA-në ai, mori shembull Kroacinë dhe Shqipërinë për proceset që kanë kaluar, që tashmë do kaloj edhe Kosova. Elezi, foli për shtetin e së drejtës, forcimit të tij dhe luftimit të korrupsionit por edhe për administratën publike e cila duhet të forcohet dukshëm.

Ai foli për procedurat standarde nëpër të cilat duhet të kaloj Kosova. Përmendi hapin më delikat që sipas tij, është ratifikimi nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së. Por, edhe për skepticizmin që janë duke shfaqur disa shtete të BE-së për zgjerimin e tyre.

Kriza në Greqi, gjendja në Ukrainë dhe çështja e refugjatëve sipas Gentian Elezit kanë hequr vëmendjen pak nga Ballkani.

Punëtoria “Strukturat institucionale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka zgjatur dy ditë ndërsa është financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Shpërndaje në rrjete sociale