Bajrami: Renditja e Kosovës nga Henley & Partners nuk pasqyron realitetin

23:25 | 23 Tetor 2025
E.G

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri të ditur se Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley & Partners.

Në një postim në Facebook, deputetja Bajrami, ka theksuar se indeksi nuk reflekton realitetin ekonomik, duke thënë se Kurti e ka gjetur një organizatë që e rendit Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë për qëndrueshmërinë e investimeve.

Ajo gjithashtu ka sugjeruar që lexuesit të informohen për reputacionin e organizatës Henley & Partners, duke përfshirë edhe artikuj të jashtëm, si një shkrim nga “The Guardian”.

Ajo ka shtuar se realiteti ekonomik për të cilin kryeministri Kurti nuk ka folur përfshin “rritje të çmimit të energjisë elektrike për bizneset deri në 300% këtë vit, lulëzim të mafias energjetike si rezultat i politikave qeveritare, dhënien e 3,000 tenderëve të negociuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, largimin e mbi 250,000 qytetarëve nga vendi, shumica me viza pune, një deficit tregtar prej 5.4 miliardë euro në vitin 2024, investime kapitale të ulëta (deri më 1 shtator vetëm 198 milionë euro), inflacion 4.7% në shtator 2025, rritje të normave të interesit, si dhe qëndrimin e Kosovës nën masa ndëshkuese të BE-së që nga viti 2023 dhe pa qasje në fondet e “Planit të Rritjes””.