Asociacioni i Komunave deklarohet për heqjen e orës policore dhe zgjatjen e orarit për bizneset

15:59 | 14 Janar 2021

Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se ka ardhur koha që duhet të diskutohen masat dhe të bëhet lehtësimi i tyre.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për arbresh.info, tha se edhe pse gjatë ditës së sotme janë takuar me kryeministrin Avdullah Hoti, nuk është biseduar kjo çështje.

“Ne sot jemi takuar me kryeministrin dhe me tre ministra, mirëpo s’kemi biseduar për masa”, tha Ibrahimi.

Ai, tha se duke parë që numri i të infektuarve ka shënuar rënie, si dhe kategorizimi i komunave me ngjyra po ashtu ka dhënë efektin e vet, duhet të rishqyrtohen masat.

Mirëpo, sipas tij, për këtë çështje nuk janë takuar që një kohë të gjatë për ta vlerësuar situatën, dhe ai shton se ka ardhur momenti që ne të ulen dhe t’i diskutojnë këto masa.

“Duhet mu mbledh dhe mi diskutu masat, sepse ka një kohë të gjatë që nuk jemi mbledhur për të biseduar për këtë çështje. Kategorizimi i komunave e ka dhënë efektin e vet, shumica e komunave që kanë qenë të kuqe, kanë dalur në të verdh dhe në të gjelbër. Pra ka pasur përmirësime, lakorja e të infektuarve është në rënie e sipër, tash ka ardhur koha që të kemi ndryshim të masave”, u shpreh Ibrahimi.

Ai, u shpreh se kryetarët e komunave e kanë primare shëndetin publik, mirëpo sipas tij, edhe shëndetin ekonomik nuk munden me anashkaluar.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme është paralajmëruar lehtësimi i masave, përfshirë edhe zgjatjen e punës së bizneseve.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka paralajmëruar se shumë shpejt pritet të ketë lehtësim të masave kufizuese, përfshirë këtu edhe zgjatjen e orarit të punës për bizneset./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara