Arrestohen tre të dyshuar për vjedhje në fshatin Mazgit të Obiliqit

13:35 | 15 Maj 2026
E.K

Policia e rajonit të Prishtinës, përkatësisht njësiti i hetimeve në Obiliq, ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarve është kryer nën dyshimin se ata janë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë të ndodhur më 12.05.2026, në rrugën “17 Shkurti” në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku nga një depo e një punëtorie është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash.

Pas veprimeve hetimore dhe operacionale të ndërmarra nga njësiti i hetimeve të stacionit policor në Obiliq, është bërë identifikimi dhe arrestimi i tre të dyshuarve.

Të arrestuarit janë: F. B., 26 vjeç; A. K., 22 vjeç; dhe R. H., 34 vjeç, të gjithë meshkuj.

Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet në procedurat e mëtejme hetimore.