Abdixhiku dhe Osmani shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të Alush Gashit

14:25 | 15 Maj 2026
E.K

Ka ndërruar jetë Alush Gashi, ish-ministër i Shëndetësisë dhe një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), profesor universitar dhe figurë e njohur e jetës publike në Kosovë. Pas lajmit për vdekjen e tij, kanë reaguar drejtues politikë dhe institucionalë, duke shprehur ngushëllime dhe duke vlerësuar kontributin e tij në politikë, akademi dhe proceset shtetformuese të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një reagim emocional ka kujtuar raportin e tij të afërt me Gashin, duke e cilësuar si mik, mentor dhe këshilltar të pazëvendësueshëm.

“Më iku një mik i madh. Një mik i vërtetë. Alush Gashi, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Rugova, njeri i urtë e i mençur i politikës sonë, sot na la”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se për të, Gashi ka qenë shumë më tepër se një figurë publike.

“Për mua ishte shumë më shumë se kaq. Ishte mentor. Ishte këshilltar. Ishte një prej njerëzve më të afërt që pata në këtë rrugëtim. Në këtë rrugëtim timin, rrallë kam takuar njerëz me aq maturi e aq mirësi. Në momentet më të vështira, tek ai gjeja gjithmonë qetësi… Një mendim të peshuar. Një fjalë që të kthjellonte”, ka shtuar Abdixhiku.

Ai ka shprehur dhimbje për humbjen dhe pengun e moslamtumirës me të.

“E kam të vështirë ta besoj se nuk do të flasim më… Nuk arritëm të përshëndetemi në këtë botë profë. Kjo më dhemb shumë. Më mbetet peng… Do të më mungosh shumë profë. Ishe njeriu më i sinqertë në këtë rrugëtim kaq të vështirë. Pusho në paqe!”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar Gashin si figurë të dijes, urtësisë dhe kontributit në ndërtimin e shtetit, duke e përshkruar si njeri që la gjurmë të thella në jetën akademike dhe politike.

“Profesori i shquar i anatomisë, njeriu i përkushtuar ndaj dijeve, e zbërtheu anatominë tonë politike dhe, bashkë me prijësin tonë historik, presidentin Rugova, i dha udhë vizionit për shtetin”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se Gashi ishte i pranishëm në momente kyçe të historisë së Kosovës.

“Nga Shtëpia e vogël e Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë e deri te Shtëpia e madhe e Bardhë në Uashington e gjithandej globit, ai foli për Kosovën duke e gdhendur fjalën e duke e skalitur mendimin. Diplomat në sjellje, i urtë në mendim, njerëzor e i afërt me të gjithë, i fortë në qëndrime e në aleanca, ai na e la përfytyrimin e pashlyeshëm për shtetin”, ka shkruar Osmani.