Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Çedomir Aksiq: S’janë përmbushur kushtet për gjykim në mungesë

16:14 | 2 Mars 2026
E.H

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ktheu në rigjykim rastin ndaj të akuzuari për krime lufte, Çedomir Aksiq. Apeli konstatoi se nuk ishin përmbushur kushtet për gjykim në mungesë.

I akuzuari Aksiq u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vite burgim, më 26 dhejtor 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me rastin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Çedomir Aksiç, avokat Zharko Gajiç, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.15/23 i datës 26.12.2024, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në vendimin e përpiluar më 27 shkurt 2026.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Aksiq, avokat Zharko Gajiq, për të gjitha arsyet e përcaktuara me ligj, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe i akuzuari të lirohet nga akuza për veprat penale që i vihen në barrë sipas akuzës, ose ta anulojë aktgjykimin e ankimuar, dhe lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Avokati Gajiq ka dorëzuar dy ankesa për shkak të përkthimit, por sipas Apelit, janë trajtuar si një e vetme.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresa ka propozuar që ankesat e mbrojtësit Gajiq, të refuzohen si të pabazuara dhe aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që gjykimi është mbajtur në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara
në nenin 303 paragrafët 7 dhe 8 të Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht nuk janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij, shkelje këto që domosdoshmërisht kanë kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Sipas Apelit, nga shkresat e lëndës kolegji gjen se gjykata e shkallës së parë, si veprim të vetëm për përgatitjen e shqyrtimit fillestar me qëllim të mbajtjes së gjykimit në mungesë në këtë çështje, kishte përpiluar “Ftesën për seancë”, të datës 20 shtator 2023.

Në vendim thuhet se në ftesë, i ishte bërë thirrje të akuzuarit që të dorëzohet dhe të paraqitet në juridiksionin e gjykatës me qëllim që kjo çështje penale të zhvillohet në prezencë të tij, si dhe ishte bërë thirrje për çdo person që ka
informacione relevante për vendndodhjen e tij që t’ia komunikojë ato policisë me qëllim të sigurimit të pranisë së të akuzuarit. Me ftesë, thuhej se i ishte bashkëngjitur aktakuza.

“Gjithashtu, kryetari i trupit gjykues kishte konstatuar se i akuzuari ishte njoftuar se ndaj tij zhvillohet procedurë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.62/19 të datës 04.05.2023, për shkak të veprës penale krimet e luftës kundër popullatës civile, ndërsa përmes kësaj ftese i ishte bërë thirrje që të dorëzohet, si dhe ishte bërë thirrje publike për ofrimin e informatave mbi vendndodhjen e tij”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se kryetari i trupit gjykues kishte vlerësuar se janë bërë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin fillestar dhe për sigurimin e pranisë së tij. Andaj, meqenëse ishte vlerësuar se janë përmbushur kushtet për gjykim në mungesë, gjykimi kishte vazhduar.

Gjithashtu, shkalla e dytë konstaton se pas konfirmimit të aktakuzës, Themelorja kishte caktuar dhe mbajtur shqyrtimin gjyqësor të datës 4 dhjetor 2024 në mungesë të të akuzuarit, pa ndërmarrë veprime shtesë lidhur me njoftimin për seancë apo sigurimin e pranisë së tij.

Kolegji i Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë ka mbajtur gjykimin në mungesë në kundërshtim me nenin 303, paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së. Sipas Apelit, gjykimi në mungesë- shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar pa u përmbushur kushtet ligjore, përkatësisht pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij.

“Në këtë drejtim, pas shqyrtimit të tërësishëm të shkresave të lëndës, kolegji ka gjetur se, përkundër faktit që në shkresat e lëndës gjendet ftesa për seancë me numër PS.nr.15/23 të datës 20.09.2023, në gjuhën shqipe dhe e përkthyer në gjuhën serbe, nuk ekziston asnjë provë apo dokument që do të mbështeste faktin se kjo ftesë është publikuar në ueb-faqen e gjykatës, në web-faqen e Prokurorit të Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apeleit, mbetet e paqartë, e pajustifikuar dhe e pambështetur në prova mënyra se si shkalla e parë ka konstatuar në procesverbalin e seancës së 20 nëntorit 2023, se publikimi i ftesës për seancë së bashku me aktakuzën është realizuar më 20 shtator 2023, kur kjo datë përkon me datën e përpilimit të ftesës, ndërsa nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë provë nga e cila mund të konstatohet se publikimi i ftesës dhe aktakuzës në tri web-faqet është bërë në atë datë.

Më tej, në vendim thuhet se gjatë fazës së hetimeve ishin ndërmarrë masa për sigurimin e pranisë së të akuzuarit në procedurë përmes thirrjes dhe se nga Themelorja ishin lëshuar urdhërarresti, letër-rreshtimi vendor dhe ai ndërkombëtar. Megjithatë, nga shkresat e lëndës thuhet se rezulton se veprimi i vetëm i ndërmarrë nga gjykata në kuadër të përpjekjeve të mëtejme ka qenë përpilimi i ftesës për seancë.

Sipas Apelit, gjykimi në mungesë mund të bëhet vetëm nëse gjykata bindet se janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e tij për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij.

Në vendimin e Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar në tërësi zhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila paraqet një nga kushtet kumulative të paraparë me nenin 303, paragrafi 8 të KPP-së, pasi që nga shkresat e lëndës nuk rezulton të jetë ndërmarrë ndonjë veprim në përmbushje të këtij kushti.

Andaj, kolegji i Apelit ka vlerësuar se publikimi formal i ftesës dhe i aktakuzës në ueb-faqet zyrtare përbën vetëm një nga veprimet e kërkuara sipas neni 393, par.8 të KPP-së, ndërsa mosndërmarrja e veprimeve të tjera, përkatësisht mungesa e zhvillimit të një fushate informative të plotë, e bën këtë publikim formal të pamjafuteshëm për përmbushjen e standardit ligjor, përkatësisht nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e gjykimit në mungesë.

“Në rigjykim, Gjykata e shkallës së parë duhet ta caktojë sërish shqyrtimin gjyqësor dhe të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë vendim, ashtu që të përgatisë mbajtjen e gjykimit në mungesë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e përcaktuara sipas nenit 303 paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së, duke u siguruar që secili veprim të jetë i evidentuar dhe i mbështetur me prova në shkresat e lëndës, në mënyrë që të mund të verifikohet përmbushja e përpjekjeve të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit dhe sigurimin e pranisë së tij”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, rekomandohet të zbatohet një fushatë informative e plotë e konkretizuar përmes një kombinimi veprimesh praktike dhe të dokumentuara përmes rrugëve zyrtare.

Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohet për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.

Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.

Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.

Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.

Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4. protokolit 2 të datës 8 qeshor 1977 dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas nenit 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se procesi gjyqësor ndaj Aksiq u zhvillua në mungesë, pasi që Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e prezencës së tij në gjykim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme