Plas ‘skandali’ tek Sllovakia para ndeshjes me Kosovën: FFS në borxhe milionëshe, nuk shpëton as selektori

18:14 | 2 Mars 2026
D.H

Dokumente të rrjedhura nga Federata e Futbollit të Sllovakisë kanë zbuluar se trajneri i përfaqësueses, Francesco Calzona, fiton shumë më tepër sesa ishte raportuar më parë. Në të njëjtën kohë, federata po përballet me probleme serioze financiare dhe borxhe të mëdha, raporton mediumi sllovak sport.24.

Sipas dokumenteve që kanë dalë në publik, Federata e Futbollit e Sllovakisë (SFZ) e ka nisur vitin me një minus prej 6.5 milionë eurosh në llogaritë e saj. Për shkak të kësaj situate, federata nuk ka arritur të paguajë në kohë as stafin kryesor të përfaqësueses, përfshirë edhe trajnerin Calzona.

Calzona, i cili mori drejtimin e Sllovakisë më 30 gusht 2022, aktualisht është në pritje të pagave për muajt nëntor dhe dhjetor 2025. Sipas dokumenteve, federata i detyrohet atij gjithsej 140 mijë euro, që do të thotë se paga e tij mujore arrin në 70 mijë euro.

Presidenti i federatës, Ján Kováčik, e ka konfirmuar se pagesat janë vonuar edhe më herët.

“Calzonës i janë vonuar pagat edhe deri në tre muaj, dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm një herë”, ka deklaruar ai.

Bazuar në këto shifra, trajneri italian fiton rreth 840 mijë euro në vit, shumë më tepër sesa ishte raportuar më parë në media, ku flitej për rreth 45 mijë euro në muaj.

Kontrata e Calzonës me Sllovakinë pritet të përfundojë pas play-off-it për Kupën e Botës ose pas përfundimit të turneut, nëse skuadra kualifikohet. Federata ka konfirmuar se dëshiron vazhdimin e bashkëpunimit, por situata financiare mund ta bëjë të vështirë ofrimin e të njëjtave kushte financiare.

Presidenti Kováčik ka deklaruar se të dyja palët janë të interesuara për vazhdimin e bashkëpunimit, por negociatat konkrete për pagën ende nuk kanë filluar.

Situata aktuale financiare e federatës mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e trajnerit italian në stolin e përfaqësueses së Sllovakisë.

Gjithë këto skandale dalin në pah në një moment tejet të rëndësishëm ku Sllovakia e luan ndeshjet e play-offit për kualifikim në Kupën e Botës me Kosovën më 26 mars në Bratisllavë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme