Analistët: Bllokada në Kuvend është lojë e dyanshme

22:58 | 14 Maj 2025
E.H

Dështimi për 15 herë i konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe përpjekja e presidentes Vjosa Osmani për formimin e institucioneve të reja, pas thirrjes së takimeve me partitë politike, ishin tema kryesore të diskutimit në `RTK Prime`.

“Arsyeja pse zgjidhen kryetarët e Kuvendit me votim të fshehtë është pikërisht për të mos ndodhur bllokada të tilla. Gjykata Kushtetuese, madje në vendimin e vet, edhe pse nuk e konsideroi që ka qenë vendim i mirë, realisht për të mos e rrezikuar sigurinë e Kosovës atëherë. Ne kemi pasur problem me sigurinë nacionale, kemi pasur grupe të fuqishme që asesi s’kanë dashur të lejojnë të formohet një qeveri e një grupimi. Megjithatë, edhe atëherë Gjykata e ka thënë se duhet bërë përpjekje për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe më vonë institucionet e tjera”, ka thënë Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë.

Muhamet Hajrullahu, analist dhe gazetar, e ka quajtur takimin e thirrur nga presidentja me partitë politike si përpjekje për çbllokim të ngërçit politik.

“Nuk janë numrat, sepse po t’i kishte LVV 61 numra, ne nuk do të vinim te kaq shumë seanca. Fakti është politik dhe bllokada po ndodh edhe për këtë arsye. Grupimet tjera që kanë qenë opozitë deri dje, natyrisht që janë duke shfrytëzuar këtë situatë politike. Kalkulimet janë të mëdha te secila, janë zgjedhjet lokale, janë duke menduar për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare, te çështja e zgjedhjes së presidentit. Fatkeqësisht, nuk po mendojnë për Kosovën, por për veten”, ka thënë ai.

“Të dy palët po e bëjnë të njëjtën lojë. VV përmes zonjës Haxhiu e ka bllokuar, opozita duke insistuar pa të drejtë që të ndërrohet kandidatja gjithashtu e ka bllokuar. Insistimi i tyre është i qëllimshëm”, ka thënë në anën tjetër politologu Melazim Koci.

Fadil Maloku, profesor, tha se presidentja mund edhe të mos ketë mjaftueshëm autoritet mbi situatën e krijuar politike.

Shpërndaje në rrjete sociale