Sulmet terroriste të Serbisë në Kosovë, Kurti: Vakuumi që lë BE-ja po shfrytëzohet nga aktorë dashakëqij

12:37 | 15 Maj 2026
E.K

Kryeministri në detyrë potencoi që vakuumi që BE po i lë Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit, po keqpërdoret me sulme nga fqinji verior.

“Vakuumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktorë të tjerë dashakqinj, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët, prandaj është përgjegjësia e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha ai.

Kurti tha se përderisa çelësi kryesor për bashkëpunim të suksesshëm rajonal është fqinjësia e mirë evropiane, Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tre vitet e fundit nga Serbia.

“Në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe në kanalin Ibër-Lepenc në infrastrukturë kritike më 29 nëntor 2024, që të dyja këto të dirigjuara e financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të bashkëpunojë. Kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”, tha ai.

Ai potencoi se Serbia gjithashtu po vazhdon të mbajë të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave, e cila është në përputhje të plotë me standardet dhe me direktivat e Bashkimit Evropian, e në anën tjetër Bosnje Hercegovina nuk po heq vizat për Kosovën.

Kurti ka falënderuar Koss për para financimin nga marrëveshja për planin e rritjes në vlerë prej 61.8 milionë eurove; për liberalizimin e vizave nga viti 2024; për pjesëmarrjen në tregun e përbashkët rajonal dhe në instrumentet para anëtarësimit.

“Në CEFTA, në përfaqësimin tonë direkt për herë të parë, e kryesuam me sukses, ndërkohë që edhe kaluam të gjitha protokollet e mbetura në Kuvend. Kemi pesë marrëveshje që kemi nënshkruar në Procesin e Berlinit, i cili tashmë është i lidhur ngushtë me tregun e përbashkët rajonal”, tha ai.

Ai ka potencuar që mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit që shkojë ka bërë që disa reforma të vonohen, e tashmë po rrezikohen edhe për afatin e qershorit. Kurti tha se po punohet maksimalisht për të minimizuar ndikimin në reforma që po shkakton bllokada në Kuvend.

Shpërndaje në rrjete sociale