Në kuadër të Javës së Europës në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, të cilin e ka informuar për sfidat, problemet, zhvillimin ekonomik, e zbutjen e papunësisë.
Kryetari Haziri e ka falënderuar ambasadorin Chabert për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Gjilanin.
”Ambasadori Chabert sot është në vizitë në Gjilan, në kuadër të mbështetjes dhe bashkëpunimit tradicional që Ambasada ia jep Komunës sonë tash e 20 vite. Ne jemi shembulli i vetëm që populli francez në mënyrë institucionale, prej vitit 1996, e ka mbështetur Gjilanin në rrethana shumë të vështira në atë kohë. Gjithashtu, bashkëpunimi ynë vazhdon edhe me regjionin e Strasburgut e qytetin e Luterbach”, ka thënë pas takimit kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, njofton Klan Kosova.
”Me mbështetjen e Francës, shumë të rinjë të Gjilanit kanë kryer studimet atje dhe janë bërë mjekë e ekonomistë shumë të mirë sot. Po ashtu, shumë fëmijë me anomali të lindur janë trajtuar dhe shëruar në spitalet franceze dhe sot mbajnë familjet e tyre”, u shpreh Haziri.

Ndërkaq, ambasadori I Francës në Kosovës, Didier Chabert, pasi falënderoi kryetarin Haziri për pritjen, e ka vlerësuar Gjilanin si shembull të zhvillimit ekonomik dhe i zhvillimit agro-industrial.
”Gjilani është një shembull i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit agro-industrial të ndërmarrjeve të ndryshme të cilat kanë një impakt në zhvillimin e Kosovës, e po ashtu edhe në eksport e në zhvillimin e industrisë në përgjithësi. Është një komunë, e cila ka shkuar përpara edhe në zhvillimin e infrastrukturës, e gjithashtu është një komunë shembull i bashkëpunimit dhe integrimit të komuniteteve”, tha ambasadori Chabert, për të shtuar se Franca do të vazhdoj ta mbështesë Gjilanin në lëmin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
”Për më tepër, Gjilani është një komunë e cila ka një bashkëpunim të gjatë me Francën dhe këtë bashkëpunim ne do ta zgjerojmë dhe do ta mbështesim në vazhdim edhe në lëmin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore sepse Gjilani është qytet i artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Ky takim i sotëm, falë kryetarit të Komunës, ka qenë shumë i frytshëm. Kjo është vizita ime e parë në Gjilan, por nuk do të jetë e fundit në këtë qytet të bukur të Kosovës”, ka thënë ambasadori Didier Chabert.
Ndryshe, ambasadori Chabert pas takimit me kryetarin Haziri ka vizituar nxënësit e gjimnazit, duke marrë kështu përshtypjet e tij për edukimin që bëhet aty, thuhet në komunikatën e dërguar, njofton Klan Kosova.

Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...