Alergologu Jahjaga: 40 për qind e botës vuajnë nga ndonjë lloj i alergjive

15:41 | 29 Mars 2025
E.K

Alergjitë një problem akut dhe problem në rritje në gjithë botën.

Kështu ka thënë Astrit Jahjaga – alergolog, imunolog teksa ka theksuar se llogaritet që 40 për qind e botës vuajnë nga ndonjë lloj i alergjive problematogjike.

Sipas tij deri në vitin 2050 sipas statistikave perëndimore llogaritet se diku 50 për qind e popullatës botërore do të vuajnë nga problemet alergjike e arsyet janë të ndryshme.

“ Çdo gjë që na rrethon mund të shkaktojë alergji. Ato janë disa grupe, kemi alergji sezonale që njihet më shumë, sezona e pranverës alergji me drunj, sezona e verës alergjitë në barishte, sezoni i vjeshtës që është në baroja (shkurre), kurse gjatë dimrit dhe tërë vitit kemi alergjitë në ambientet e mbyllura (në pluhurin e shtëpisë), kafshët shtëpiake e në myshqe, spore, kërpudha e të tjera”, tha ai për RTK.

Ai tha se alergjitë ushqimore janë shumë të rrezikshme.

“Ka alergji të ndryshme, kemi alergji në medikamente që është duke u rrit me të madhe, në ambientet e punës, alergji ushqimore që janë shumë të rrezikshme e mund të jenë edhe kompatible ndonjëherë bashkë me këto medikamentozet, por kemi edhe nga një herë alergji edhe në pickim të insekteve”, tha ai.

Jahjaga tutje tha se 60-80 për qind të rasteve shkaktar ose përkeqësues i asmës janë alergjitë duke theksuar se është shumë e rëndësishme që alergjitë të mbahen në kontroll dhe se alergjitë kërkojnë trajtim profesional, adekuat sepse siç tha ai te alergjitë ka faza të përmirësimit dhe të përkeqësimit dhe realisht alergjitë nuk kalojnë dhe ka shumë arsye pse janë permanent ato.

“Shpesh pyetemi nga pacientët se pse tash ka alergji më shumë se në kohët përpara. Një prej teorive kryesore është teoria e pastërtisë së tepërt (higjienës) realisht, sepse fëmijët në fazat më të rëndësishme të jetës kur bëhet zhvillimi i sistemit imun nuk kanë kontakt të mjaftueshëm me ambientin dhe më kafshët e sistemi imun është totalisht i pa informuar. Janë bërë studime që fëmijët që janë rritur nëpër ferma kanë shumë më pak alergji”, tha imunologu Jahjaga.

Shpërndaje në rrjete sociale