Google ADS

Aktakuzë ndaj një shtetasi serb për maicën me mesazhin: “Nuk e japim tokën e Car Dushanit”

15:02 | 16 Maj 2025
E.K

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.S., shtetas serb, i cili akuzohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas nenit 141, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas hetimeve të zhvilluara, më 14 tetor 2023, rreth orës 08:20, në fshatin Dren të Komunës së Zubin Potokut, i pandehuri ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të nxitjes së urrejtjes, prishjes së rendit publik, si dhe nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.

“Sipas aktakuzës, më 14 tetor të 2023-ës gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një maicë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme, të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin “NE DAMO TE ZEMLODUSANOVA” (që në gjuhën shqipe nënkupton “Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”), ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKE KOLOSIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

 

Aktakuza është dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa Prokuroria ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Penal./Arbresh.info