Aksident me fatalitet në Kaçanik, humb jetën një person

08:52 | 24 Shtator 2025
E.K

Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen e një personi është ka ndodhur në fshatin Begracë të komunës së Kaçanikut.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura në lëvizje.

Si pasojë e përplasjes, njëri nga drejtuesit e automjeteve, i cili dyshohet se ka qenë shkaktar i aksidentit, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, ai ka ndërruar jetë, ndërsa vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor.

Në këtë aksident kanë pësuar lëndime edhe një grua, e cila ishte duke drejtuar veturën tjetër, si dhe pasagjerja që ndodhej në automjetin e saj. Të lënduarat janë dërguar për trajtim mjekësor.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjes. Hetimet rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar nga njësitet përkatëse të trafikut rrugor.

“Fsh. Begrace, Kaçanik 23.09.2025-15:05. Ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë dy vetura në lëvizje dhe për pasojë njëri nga drejtuesit i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, për shkak të lëndimeve që ka pësuar, derisa ishte duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja. Po ashtu, si pasojë lëndime kanë pësuar edhe viktima femër kosovare -drejtuese e veturës dhe pasagjerja në veturën e saj. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve”, thuhet në njoftim./Arbresh.info