Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në Gala Mbrëmjen e organizuar me rastin e njohjes së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e saj para të pranishmëve ka thënë se është kënaqësi të jem me ju sonte, të shënojmë bashkërisht një arritje të rëndësishme për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.
Një arritje, që sipas Haxhiut, jep besueshmëri punës akademike në vendin tonë, që e forcon besimin në institucionet tona dhe e vendos Kosovën denjësisht në hartën ndërkombëtare të cilësisë në arsim.
“Njohja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritje e madhe për institucionet tona, për universitetet tona, për profesorët, për studentët dhe për secilën familje, që e sheh arsimin si udhën më të ndershme drejt përparimit”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, arsimi i lartë është një prej mënyrave më fisnike, me të cilat një vend e përgatit të ardhmen e tij, duke shtuar tutje se në universitet shoqëria mëson të mendojë më kthjellët, të gjykojë më drejt dhe ta kthejë dijen në zhvillim.
“Prandaj, besimi në arsimin e lartë është kaq i çmueshëm. Sepse, kur i besohet diplomës i besohet edhe mundit të studentit, edhe punës së profesorit, edhe institucionit që e ka dhënë atë diplomë. Ashtu matet edhe serioziteti i shtetit ndaj dijes, ndaj meritës por edhe ndaj cilësisë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo është arsyeja pse kjo njohje ka rëndësi të veçantë.
“Ajo është dëshmi se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka hyrë në një rreth më të gjerë besueshmërie, ku cilësia nuk shpallet vetë, por vlerësohet nga të tjerët. Besimi i partnerëve ndërkombëtarë tregon se Kosova po ndërton standarde të krahasueshme me botën demokratike dhe akademike dhe kur flasim për standardet duket sikur po flasim për rregullat teknike, por ato janë gjuha me të cilën një shtet i thotë qytetarit: Mundi yt do të njihet dhe dija jote do të vlejë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo, ka falënderuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekipet profesionale dhe të gjithë ata që kanë punuar në këtë proces të rëndësishëm. Po ashtu, ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces të rëndësishëm.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet, që është dëshmuar në momentet më vendimtare të historisë sonë. Sot ky partneritet po shihet edhe në fusha, që ndërtojnë të ardhmen e Kosovës, në arsim, në cilësi, në kapacitete profesionale dhe në besimin që institucionet tona fitojnë jashtë vendit”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se le të jetë kjo arritje një hap tjetër drejt një Kosove, ku dija nderohet, merita mbrohet dhe arsimi i lartë bëhet një nga shtyllat më të sigurta të zhvillimit tonë kombëtar!/Arbresh.info

Votimi me postë nis të enjten, KQZ del me sqarim për votuesi...
Kërçeli: LVV pret rezultat të ngjashëm me zgjedhjet e fundit
Doarsa Kica – Xhelili sqaron deklaratën e saj virale: Kam th...
Konkursi për Kryeprokuror, monitoruesit kërkojnë proces tran...
Rubio bisedë telefonike me shefin e OKB-së, diskutohet rritj...
Real Madridi cakton datën se kur do ta zyrtarizojë Mourinhon...