Kilogrami i mishit shkon deri në 15 euro, fermerët paralajmërojnë sërish shtrenjtim gjatë sezonit të dimrit

09:59 | 20 Nëntor 2022

Produktet ushqimore në Kosovë ka kohë që janë në një ngritje të papërballueshme për gjepin e qytetarëve.

Kësaj ngritje nuk i ka shpëtuar as produktet e mishit. Një kilogram mish në disa mishtore të Prishtinës kushton deri në 15,00 euro, ndërsa mesatarja është mes 12 deri në13 euro, raporton arbresh.info.

Ngjashëm këso ngritje të çmimeve ka edhe në qytetet e tjera, teksa vërehet edhe shtrenjtimi tek shitja e kafshëve të gjalla për konsum.

S.B, blerës i rregullt i mishit në mishtore, thotë se para pak ditësh në një mishtore në Prishtinë ka paguar 15 euro një kg mish.

Njëra nga fermat në komunën e Rahovecit sivjet ka dal me çmim më të larte se vitin e kaluar.

Pronari i kësaj ferme për arbresh.info tregon se sa shkon kilogrami i mishit aktualisht.

“Në pazar po dalim me çmim që shkon nga 3.3 deri në 3.8 euro për kilogram, për kafshë që i matim të gjalla, derisa vjet ishte nga 2.8 deri në 3 euro”, thonë nga kjo fermë.

Çmimet e mishit vazhdojnë të ngritën edhe më shumë gjatë dimrit

Ata paralajmërojnë se gjatë dimrit do të ketë rritje edhe më të mëdha të çmimit të këtij produkti.

“Çmimi për viça të gjallë pritet të shkoj nga 4.2 deri në 4.5 euro për një kilogram. Me krahasua me çmimet që shpenzon një frymë, rritja e çmimit është shumë e vogël, sepse sa janë ngrit çmimet e shpenzimeve në përgjithësi, çmimi i mishit nuk është shtrenjtë. Se ka shumë shpenzime”, thotë për arbresh.info fermeri nga Rahoveci.

Ndërsa H.G qytetarë nga Prishtina thotë se çdo vit kanë pre pastërma, ngase mishin në mishtore nuk e ka parë si të sigurt.

Ai thotë se këtë vit ka vërejtur një rritje të madhe të çmimit të mishit.

“Shtrenjtë sivjet ishin shume. Çdo ditë po dal në pazar, mirëpo qysh pe shoh unë shtirë me gjet me çmimin që e kam marrë viteve të kaluara. Këtë vit deri në 5 euro po thonë çmimi për të gjallë”, thotë ky qytetarë i shqetësuar.

Shahini: Shtrenjtimi i mishit, pasojë e importimit të 90 për qind të tij

Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se deri te shtrenjtimi i mishrave vjen si pasojë që Kosovë pothuajse mbi 90% të konsumit të përgjithshëm e importon qoftë mish të ngrirë apo gjedhe që merren dhe theren në Kosovë.

“Kjo e bënë që tashmë edhe ushqimi për bagëti është shtrenjtuar, dhe gjithë kjo ka ndikuar që të rritet qoftë mishi për konsum të përditshëm, qoftë edhe siç është në gjuhën popullore mishi i gjallë. Kjo e bënë që Kosova menjëherë të ngrit çmimet për arsye se janë ngrit çmimet në importe e për standardin e qytetarëve realisht çmim i shtrenjtë ashtu siç janë shtrenjtë derivatet e naftës dhe shumë produkte tjera të cilat po e godasin konsumatorin dhe qytetarin e Kosovës” pohon Shahini.

Sipas tij, në Kosovë gjithçka varet prej importit edhe mishi në këtë rast.

“Përderisa ne nuk kemi prodhim vendi, qoftë edhe koncentratet të cilat importojnë për shtazë, kjo e nënkupton që çmimet në sektorin e mishit do të ecin lartë, duke bërë që edhe shporta e konsumatorit  të zvogëlohet, e pagat pothuajse mbetën të njëjta, siç kanë qenë edhe më parë ku çmimet kanë qenë 50% më lirë”, shprehet Shahini.

Ndryshe, nuk është vetëm mishi që ka pësuar rritje enorme këtë vit. Inflacioni (rritja e çmimeve) në korrik të këtij viti ka arritur 14.2 për qind në raport me muajin korrik të vitit të shkuar. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.

Derisa sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.

Kjo rritje e çmimeve është kryesisht te shërbimet për transport 9.4 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 7.4 për qind. /arbresh.info/Vjollca Gajraku/