Mbetje mortore në Krushë të Vogël, Komisioni për Persona të Zhdukur jep detaje

12:05 | 29 Prill 2026
R J

Mbetje morore janë gjetur ditën e djeshme në Krushë të Vogël të Rahovecit.

Dyshohet se këto mbetje i përkasin personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Po flasim për një lokacion/rast të iniciuar nga Sektori për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës. Në zbatim të urdhëresës së Gjykatës dhe sipas planifikimeve paraprake mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në komunikim edhe me Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë, gjatë ditës së djeshme janë realizuar gërmimet dhe zhvarrimi i mbetjeve mortore”, deklaroi Gara.

Tutje, Gara deklaroi se në bashkëpunim me kolegët nga Instituti për Mjekësi Ligjore, ky lokacion është trajtuar në kuadër të procesit për konfirmimin e identitetit.

“Siç është bërë e ditur edhe përmes njoftimit të Policisë, mbetjet mortore të zhvarrosura janë dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale