Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzoi rikthimin e tij si u.d. i kryeprokurorit

13:59 | 5 Dhjetor 2025
Q L

Avokati i ish-ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi, Flakron Sylejmani, ka thënë së ata do të ankohen ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u refuzua padia e Kelmendin, ku ai kërkonte masë të përkohshme të sigurisë dhe pezullim të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita.

“Si përfaqësues ligjor i z. Besim Kelmendi, dëshiroj të njoftoj opinionin publik se, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit, në pajtim me dispozitat procedurale dhe afatet ligjore në fuqi”, ka thënë Sylejmani.

Ai ka thënë se me këtë vendim nuk është vlerësuar ligjshmëria e vendimit për shkarkimin e Kelmendit.

“Procedura meritore mbetet e hapur dhe në shqyrtim”, është shprehur Sylejmani.

Ai ka theksuar se vlerësim i tyre juridik është se arsyetimi i dhënë nga gjykata nuk pasqyron në mënyrë të plotë standardet e nenit 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, siç është shprehur, “sidomos në pjesën që lidhet me rrezikun e dëmit të pakthyeshëm dhe peshën institucionale të funksionit që ushtronte pala jonë.

“Këta elementë janë vendimtarë në këtë fazë dhe kërkojnë trajtim të posaçëm dhe substancial. Pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është funksion me rëndësi të veçantë institucionale dhe ndërprerja e ushtrimit të kësaj pozite, para një vendimi meritor, krijon pasoja që nuk mund të rikuperohen me mjete të mëvonshme juridike, madje edhe në rast të aprovimit të padisë. Për këto situata ligji parasheh masën e sigurisë si mjet mbrojtës për të garantuar stabilitet dhe integritet institucional deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, është shprehur Sylejmani.

Ai ka thënë se ankesa do të paraqitet brenda afatit ligjor dhe do të përmbajë argumentet e tyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritor dhe përfundimtare të gjykatës.

Kryesuesi i KPK-së Ardian Hajdaraj, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, si dhe anëtarët Jetish Maloku, Ariana Shakovci dhe Milot Krasniqi, e shkarkuan Besim Kelmendin në mbledhjen e 20 nëntorit dhe e zëvendësuan atë me Agron Qalajn. Pesë anëtarë të tjerë, përfshirë Kelmendin, atë ditë u larguan nga mbledhja. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit. Ndërkaq në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt të hënën, Qalaj qëndroi në sallë duke e mundësuar praninë e shumicës në KPK.

Në mbledhjen e 1 dhjetorit u refuzua raporti zgjedhor për zgjedhjen e prokurores Elza Bajrami-Kastratin si anëtare e re e KPK-së. Rezultatet zgjedhore të 1 nëntorit e kanë nxjerrë fituese Elza Bajramin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që fitoi ndaj kundërkandidates Merita Kurtishi-Gakës, së cilës i është rrëzuar ankesa për parregullsi në KPK, meqë pesë vota ishin për dhe pesë kundër.

Në prag të shkarkimit të tij, Besim Kelmendi pati deklaruar se esenca e këtij veprimi është të ndryshohet balanca e votave në Këshill, meqë në janar hyn në fuqi Ligji i ri për Këshillin Prokurorial që redukton numrin e anëtarëve. Këtë e ka mohuar si kryesuesi Hajdaraj, ashtu edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj për të cilin Kelmendi tha se do që me çdo kusht të bëhet u.d. kryeprokuror./KOHA

 

Shpërndaje në rrjete sociale