Plazma e gjakut po shihet si “shpëtim”, deri në sigurimin e vaksinës për të gjithë

11:19 | 5 Prill 2021 | ARDITA ZEKA

Në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, deri më tani janë dhuruar 1000 plazma gjaku të cilat i kanë përmbushur kushtet për përdorim terapeutik për pacientët të infektuar me Covid-19.

Këtë e konfirmon për arbresh.info Safete Maliqi-Qormemeti, shefe e dhurimit të gjakut në këtë qendër.

“Ata paraqiten në Qendrën e Transfuzionit dhe na tregojnë një dokument apo analizë që e kanë kaluar virusin nëse posedojnë më vete. Atëherë, nëse jo, ne e fusim atë në përdorim të gjakut si dhurues vullnetar. Mandej gjaku i atij dhuruesi testohet në Institutin e Shëndetësisë Publike”.

Ajo thotë se, tani në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut nuk ka mungesë, pasi që plazma kovaleshente e ka shtuar numrin e dhurimit të gjakut.

“Të vetmin shpëtim pacientet tani e shohin vetëm plazmën kovaleshente, deri në sigurimin e vaksinës.  Numri që ka arritur tani i vaksinave, nuk është i mjaftueshëm për t’i vaksinuar të gjithë. Këshilla ime për të gjithë është që të paraqiten në qendrën kombëtare të transfuzionit të gjakut sepse është një akt shumë human për t’i ndihmuar të tjerët, nuk shkakton dhimbje dhe është procedurë e shkurtë”.

Ajo përmend kriteret që duhet plotësuar që plazmat e gjakut të mund të përdoren.

“Të ketë minimum 14 ditë para dhurimit të gjakut të mos ketë ndonjë simptomë të sëmundjes, dhe minimum 14 ditë para dhurimit të mos përdor ndonjë ilaç mjekim për trajtim qoftë Covid-it ose jashtë saj dhe të gjitha këto duhet t’i plotësojë dhuruesi në mënyrë që të dhurojë plazmën kovaleshente”.

Arsim Avdiu i cili ishte i infektuar me Covid19 në muajin nëntor, ishte paraqitur vullnetarisht për dhurimin e plazmës konvaleshentë, për këdo që ka nevojë.

“Procedura këtu shkojë shumë ma mirë se sa që e kam menduar. Shumë lehtë, shumë mirë. Këshilla ime për të gjithë kush ka mundësi të vij ta jap plazmën. Normal, kush ndihet mirë me shëndet”.

Edhe vullnetari tjetër Fahri Avdiu, i cili ishte prezent duke dhënë plazmën kovaleshente thotë se dhurimi i plazmës është detyrë, që të ndihmohen ata që kanë nevojë.

“Jam duke e dhuruar plazmën e gjakut, dhe që gjashtë muaj e kam kaluar virusin. Shumë lehtë. Procedura pa telashe. Dhurimi i plazmës është detyrë, me ndihmuar dikën pasi që ka njerëz që kanë nevojë për ketë”.

Ndryshe, plazma kovaleshente është plazma e personave të cilët e kanë kaluar COVID-19, dhe të cilët kanë arritur të krijojnë antitrupa, dhe pacientët të infektuar me Covid-19, mund të shërohen me përdorimin e plazmës së personave që kanë kaluar këtë virus./A.Zeka/arbresh.info/

 

 

Lajmet më të lexuara