Studim: Fëmijët shpenzojnë mbi 6 orë në ditë para pajisjeve elektronike

21:20 | 28 Mars 2015
M. A.

Nëse ka një gjë të sigurt për fëmijët e ditëve të sotme, është se ata shpenzojnë më shumë kohë në pajisjet elektronike se sa duke luajtur. Është rritur në mënyrë dramatike koha që fëmijët shpenzojnë duke parë në ekrane. Sipas studiuesve, fëmijët nga mosha 5 deri në 16 vjeç kalojnë mbi 6 orë në ditë para një ekrani, krahasuar me rreth tri orë në ditë në vitin 1995.

Përveç kësaj, fëmijët pëlqejnë më shumë të shohin një film vizatimor apo shfaqje për moshën e tyre në tabletë se sa në televizor. Sipas firmës së hulumtimit të tregut, Childwise, djemtë shpenzojnë kohën më të madhe para ekraneve, me një mesatare prej tetë orësh. Ndërsa vajzat shpenzojnë gati 3 orë. Me kohën para ekranit kuptojmë kohën që fëmijët shpenzojnë duke parë televizor, duke luajtur video-lojëra tek konsolat, duke përdorur një pajisje mobile, kompjuter ose tablet.

Firma Childwise ka mbledhur të dhëna nga viti 1995 deri tani për të krijuar një pamje të qartë të sjelljeve të fëmijëve ndaj pajisjeve elektronike. Sipas kësaj, firme, pas dy vjetësh fëmijët nuk do të shohin më televizor por do të shpenzojnë më shumë kohë në internet. Fëmijët po përdorin gjithashtu disa pajisje elektronike në të njëjtën kohë, për shembull, shohin televizor ndërkohë që janë duke naviguar në internet në një tablet ose pajisje mobile./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale