Përse Ahmet Zogu u vesh prift?

01:22 | 5 Tetor 2017

Ahmet Zogu njihet si një nga figurat më të rëndësishme qysh prej pavarësisë, duke u bërë pas Luftës së Parë Botërore më i rëndësishmi i politikës shqiptare. Ishte ministër, kryeministër, president dhe mbret. Por jeta e tij në këtë ngritje të pareshtur hirearkie nuk ishte e lehtë.

Ishte viti 1916 kur austro–hungarezët patën hyrë në Shqipëri. Ushtria që sapo kishte hyrë kërkonte që të shkatërronte çdo mbetje turke, përfshirë edhe Esat Pashë Toptanin, nip i të cilit ishte edhe Ahmet Zogu. Për këtë arsye u kërkua arrestimi i tij e më pas internimi. E ëma, e shqetësuar për fatin e djalit të vetëm, i shkruan At Pal Dodajt dhe i kërkon ndihmë për të shpëtuar të birin.

At Pali në atë kohë ishte superior në Kuvendin Françeskan të Rubikut. Me të marrë lajmin, niset menjëherë drejt Burgajet. Aty takon Ahmet Zogun e ri i cili ishte mjaft i zgjuar e i shkathët, dhe duke menduar dobinë që Shqipëria do të kishte prej tij, bën çfarë të mundet për ta shpëtuar.

Të dy së bashku nisen deri në Bazë e Pëshkash ku takohen me At Bona Nikën. E vetmja mënyrë për të mos u ndalur nga austro–hungarezët për kontroll ishte që Zogu të vishej si frat, pasi elementi i klerit katolik mbështetej shumë nga austro–hungarezët. Kështu, dy priftërinjtë vendosën ta veshin Ahmet Zogun si frat me zhgun dhe kështu, të tre sëbashku nisen për në Rubik.

Ahmet Zogu qëndroi në Kuvendin e Rubikut si të ishte nxënës aty dhe bisedoi gjerë e gjatë me At Palin. Pas disa kohësh qëndrimi aty, ranë dakord që më e mira për Zogun e ri ishte që ai të shkonte me studime në Austri e të mos qëndronte në Shqipëri ku rrezikonte internimin.

Me ndërmjetësimin e At Palit, Ahmet Zogu shkoi në një kolegj ushtarak në Austri për studime dhe kështu, pas Luftës së Parë Botërore, ai u kthye në Shqipëri i gatshëm për të marrë në dorë frerët e politikës shqiptare.

Por karakteri jo fort i qëndrueshëm Ahmet Zogut shprehet nëpërmjet një episodi të vitit 1925 kur At Pali thotë:

“Kurrë nuk e kam besue se kështu do të ma shpërblente ai të cilit i kam shpëtue jetën!”

Ngjarja e mësipërme tregohet nga atë Zef Pllumi në librin e tij “Françeskanët e Mëdhaj”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara