Të dyshuar për disa raste të vjedhjeve, arrestohen gjashtë persona në Gjilan

11:56 | 19 Maj 2026
E.H

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan njofton se si rezultat i një hetimi disa mujor dhe veprimeve intensive hetimore me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot është arritur që të arrestohen gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se të njëjtit janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve.

“Në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, gjersa me vendim të Prokurorit të Shtetit që të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet lidhur me këto rast janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale