Google ADS

Konfiskohet substancë narkotike në vlerë prej 200 mijë euro, arrestohen gjashtë persona

11:09 | 6 Qershor 2024
E.K

Policia e Kosovës ka njoftuar në dy raste të ndara në Prizren dhe në Gjilan, ka arrestuar 6 persona të dyshuar për shitblerje të narkotikëve.

Në rastin e parë, patrulla e autostradës në Prizren, drejtimi i Vërmicës, ka ndaluar dy vetura me targa vendore në të cilat vetura ishin katër të dyshuarit R. V. m/k (viti i lindjes 2002), E. D. m/k (viti i lindjes 1997), P. S. m/k (viti i lindjes 2002) dhe D. T. m/k (viti i lindjes 2001).

Vlera e substancës narkotike që është gjetur tek ta, sipas tregut dyshohet të jetë mbi dyqind mijë euro.

“Gjatë kontrollit të personave, janë hasur substanca të ndryshme narkotike, me ç’rast personat e dyshuar janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa si provë materiale nga DHTN janë konfiskuar: substancë narkotike e dyshuar për ekstazi, me peshë të përgjithshme 3 kg e 367 gramë; substancë narkotike e dyshuar për kokainë me peshë të përgjithshme 695.98 gr., substancë narkotike e dyshuar e llojit Crack me peshë të përgjithshme 367.93 gr., substancë narkotike LSD, 154 paketime; substancë narkotike Kanabis Sativa në formë çokolate me peshë 5.9 gr., njëqind e tridhjetë e tetë (138) qese plastike të zbrazëta, të holla (para) në vlerë shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë (7788.85) euro, shtatë (7) telefona mobilë, dy vetura të markës VW-Golf”, thuhet në njoftim.

Rasti i dytë gjithashtu ka ndodhur më 05.06.2024 rreth orës 14:30, gjatë implementimit të planit ‘Rrethi’ nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në qytetin e Gjilanit, nën dyshimin për shitblerje të lëndëve narkotike, janë lokalizuar dhe janë arrestuar personat e dyshuar A. S. m/k dhe B. D. m/k të cilët ishin në një veturë me targa vendore.

“Në cilësi të provave materiale tek të dyshuarit janë konfiskuar: substancë narkotike e dyshuar për heroinë në peshë 537.8 gr. dhe vlerë rreth 8000 euro, substancë narkotike e dyshuar si marihuanë në peshë të përgjithshme 3. 36 gr., dy telefona celularë, si dhe një veturë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale