Google ADS

Flet Sejdi Rexhepi| Zhgënjimit të popullit do t’i shtohet edhe mosmiratimi i buxhetit të 2021’tës

08:29 | 14 Dhjetor 2020
M. A.

Zvarritja e miratimit të buxhetit për vitin 2021, që është parakusht për zbatimin e një pjese të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike dhe telashet politike në lidhje me buxhetin janë diskutuar në një intervistë me profesor, Sejdi Rexhepi.

 

  1. Zbatimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike varet nga miratimi i buxhetit për vitin 2021. Ndërkohe, buxheti për vitin 2021 është duke u shqyrtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni nuk kishte kuorum për t’u votuar. Si e komentoni ju këtë neglizhencë të deputetëve dhe partive politike?

 

Është vështirë që të komentohet mungesa e deputetëve në një mbledhje të një komisioni, sepse ajo mund të jetë për arsye më së të ndryshme, madje edhe të arsyeshme. Por, dukuria e mungesës së paarsyeshme në seanca të Kuvendit sikurse edhe në komisione parlamentare, kur në rend të ditës janë tema me rëndësi shtetërore siç është tani kjo buxhet, paraqet një mos respekt të votës së qytetarit dhe një papërgjegjësi institucionale.

 

  1. Ndasitë brenda partive politike sa po e dëmtojnë rimëkëmbjen e bizneseve dhe përmirësimin e gjendjes së punëtorëve nga goditja që morën nga pandemia?

Sot në Kosovë, fatkeqësisht të gjithë akterët shoqëror, duke filluar nga partitë politike, shoqëria civile, shoqatat e bizneseve dhe sindikata, me pak përjashtime, në vend të mbrojtjes së interesave të përgjithshme, angazhimin e kanë parcializuar ose kufizuar kryesisht në “aktrimin” për “përkushtim në plotësimin e interesave të elektoratit të vet të paramenduar përkatësisht klienteles së vet të cilës i shërben. Kjo më shumë, jo për të plotësuar interesat e tij ose tyre, se sa për të krijuar bindjen se “pala tjetër” është fajtor për një çështje të caktuar. Loja e “kilës” për të ja lanë fajin palës tjetër po luhet vazhdimisht, kurse koston e saj po e paguan qytetari. Kjo ka ndodh edhe me Projekt-Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, për të cilin edhe vetë propozuesi e ka ditur se ka të meta themelore, në veçanti lidhur me shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe tërheqjen e 10% të kursimeve të grumbulluara në Fondin e Kursimeve Pensionale. Këtyre dobësive të këtij ligji, i është shtuar edhe një diskriminim i pa parë lidhur me rimburësimin e të njëjtave për qytetarët të cilët kanë më pak se 10,000€ të kursyera. Në dakordim të këtyre objektivave të përbashkëta është kaluar kohë e gjatë dhe është shkaktuar vonesë e panevojshme, në ndërkohë që partitë i kanë “shërbyer” elektoratit të tyre me arsyetime për mos pajtushmërinë dhe me akuzuese për partitë rivale. Në ndërkohë që mediave, shoqërisë civile dhe sindikatës i është dhënë “mjaftë material” për të debatua dhe vetëm për të debatua. Një seriozitet shumë i ultë në raport me shtetin, në raport me popullin dhe në veçanti në raport me pasojat që po i sjell çdo ditë Pandemia Covid 19.

 

  1. Kur mendoni se punëtorët do të mund t’i marrin pagat që janë ndarë nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike?

Unë besoj se pagat e punëtorëve të larguar apo të pezulluar nga puna siç parashihet me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, për periudhën e tetor-dhjetor të këtij viti, do të duhet të paguhen deri në fund të këtij vit nga fondet të cilat janë në buxhetin e Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh, kurse gjasat janë që të mos ndodh, për faktin se këto ditë pati deklarime publike se këto pagesa do të bëhen tek pasi të aprovohet Buxheti për vitin 2021. Kjo vonese padyshim i shtohet listës së premtimeve të panumërta dhe zhgënjimeve të panumërta me të cilat po ballafaqohet ky popull.

 

  1. Duke i parë këto zhvillime, kur mendoni se do të mund të sigurohen votat e mjaftueshme për të votuar Buxhetin për vitin 2021 në mënyrë që bizneset të mund të përfitojnë nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike?

 

Në skenarin më të mirë do të duhej që Ligji për Buxhet i Republikës së Kosovës të aprovohet në këtë vit. Por, duke e njohur përvojën e kaluar, kur partitë politike edhe me rastin e hartimit të buxhetit kalkulojnë në përfitimet parciale për elektoratin e vet të supozuar, atëherë shumë është e mundshme që të hyjmë edhe në krizë buxhetore, dhe bashku me te të prolongohet edhe koha e fillimit të zbatimit në praktikë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Kjo nënkupton se as bizneset e as punëtorët e larguar nga puna edhe disa muaj nuk do të mund të përfitojnë në ka ky ligj.

Nëse ndodh kjo, e që është skenari më i keq i mundshëm, atëherë pasojat për ekonominë do të jenë afatgjate. Sigurisht se trendi i rënies së Prodhimit të Përgjithshëm (GDP-së) do të vazhdoj, kurse numri i punëtorëve të larguar nga puna do të rritet. Kjo nënkupton rënie të mëtejme të standardit të jetës dhe ngecje e përgjithshme në zhvillim.

Nëse ndodh ky variant, atëherë ka shumë të ngjarë që vendi do të shkoj në zgjedhje, dhe nga aprovimi me vonesë dhe mos zbatimi në praktikë i Ligjit për Buxhet, do të përfitojnë “material fushate për zgjedhje” të gjitha partitë politike. Ato që janë në pushtet (në pozitë) do të arsyetojnë dështimet në qeverisje duke akuzuar opozitën për destruktivitet dhe jo bashkëpunim, për çka ligjet e propozuara kanë mbetur gjoja të pa aprovuara dhe të paimplementuara. Po kështu, partitë që janë në opozitë do të kenë mjaftë “material fushate” për të akuzuar ish partitë në pushtet për paaftësi qeverisëse dhe për sjelljen e ekonomisë buzë kollapsit. Pra të gjitha partitë do të “dalin fitues” mjaftueshëm për të bërë fushat “të dinjitetshme”, për ta bindur elektoratin për ti votuar ata, dhe për tu krijuar besimin e plote se vetëm fitorja e tyre është garanci e “shpëtimit të kombit”.

Por në këtë skenar më së keqi do të pësojnë bizneset dhe qytetarët e rëndomtë. Rënia ekonomike do të vazhdoj, numri i të papunëve do të rritet, varfëria do to të thellohet edhe më shumë. E sa për pandemi, Zoti na ruajt!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme