Qeveria harron të ndihmojë ata që shpenzuan deri në 4000 euro për shërim nga COVID19

08:04 | 23 Shtator 2021 | ARDITA ZEKA

Terapia e shtrenjtë për shërimin e Covid-19 po e bën të pamundur që pacientët të marrin terapitë adekuate për shërim nga ky virus.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, për arbresh.info, tha se kanë pranuar ankesa të shumta nga pacientët të cilët është dashur që këto barna t’i blejnë vet edhe pse ka qenë e shtrenjtë.

Ai thotë se, në disa raste më të rënda ka shkuar deri në 4000 euro.

“Mungesa e barnave nga lista esenciale është njëri nga problemet e mëdha që e ka pacienti kosovar. Kjo është vërejtur shumë edhe në kohën e Pandemisë COVID 19. Në pjesën më të madhe të kohës nuk ka pasur barna për trajtimin e sëmundjes dhe pacientët është dashur që këto barna ti blejnë vet. Tani ka një furnizim më  të mirë, mirëpo ende mbesin barna të pa plotësuara nga lista esenciale. Terapia për pacientët ka qenë shumë e shtrenjtë , ku në disa raste më të rënda ka shkuar deri në 4000 euro”, tha ai.

Sipas tij, është dashur që Ministria e Shëndetësisë të sigurojë barna për gjithë pacientët, ose të kompensohen pacientët që i kanë blerë këto barna.

“Ne konsiderojmë se Ministria e Shëndetësisë është dashur që gjithmonë këto barna t’i ketë në stoqet e spitaleve. E në raste kur kjo nuk është e mundur, duhet të kompensohen pacientët që i kanë blerë këto barna”, tha Kodra.

Se, Ministria e Shëndetësisë është dashur ta ketë një plan për personat me COVID-19, e thotë edhe ekonomisti Safet Gerxhaliu.

“Kushdo që është prekur nga COVID Ministria e Shëndetësisë është dashur me pas një plan, sado-kudo t’i ndihmojë këta persona që janë prekur ose që kane edhe të paktën dëshmi të sakta se sa ju kanë shkuar shpenzime në barna për një familjar apo më shumë”, tha ai.

Farmacistja O.H, për arbresh.info tha se në barnatoren ku ajo punon vijnë raste nga me të ndryshmet, dhe çmimi i barnave që kërkojnë për COVID është mjaft i lartë.

“Pacientet me COVID-19 që vijnë në barnatore, kërkojnë disa lloje të barnave, ku kostoja e tyre është mjaftë e lartë, shpesh herë ankohen që nëpër qendra të mjekësisë familjare mungojnë barnat”, tha ajo.

Arbresh.info ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Ministria e Financave sa a janë duke shqyrtuar ndonjë plan rreth kësaj çështje, por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje./A.ZEKA/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara