Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRrE) në Kosovë, ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind nga muaji prill.
“Pas përfundimit të procesit të konsultimit publik dhe shqyrtimit të t’ gjitha komenteve, do të merren vendimet përfundimtare nga Bordi i ZRRE-së, i cili do të përcaktojë masën përfundimtare të mundshme të rritjes”, kanë thënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj nuk e sheh të arsyeshme këtë rritje të energjisë elektrike.
Ai për Arbresh.info thekson se vendimi duket se do të jetë në favor të rritjes, pavarësisht se nuk është në interesin e qytetarëve.
“Po, pritet që nga data 11 prill çmimi i energjisë elektrike të rritet rreth 15%. Vendimi duket se do të jetë në favor të rritjes, pavarësisht se nuk është në interesin e qytetarëve”, thotë Mulaj.
Kosova, sipas tij, është një shtet, i cili prodhon shumicën e energjisë elektrike nga termocentralet me kosto të ulët, por kjo duket që nuk po ndikon që qytetari të marrë energji me kosto të ulët.
“ZRRE e arsyeton këtë rritje me faktin se Kosova ka importuar sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike me çmime të larta. Megjithatë, kjo nuk e justifikon plotësisht vendimin, pasi mbi 90% e energjisë në Kosovë prodhohet nga termocentralet me kosto të ulët. Për këtë arsye, argumentet e dhëna nuk bazohen kryesisht në faktorë ekonomikë”, shprehet Mulaj.
Eksperti i ekonomisë thotë se në shtetet tjera përkundrazi ka ulje të çmimit të rrymës.
“Jo, përkundrazi, në disa shtete ka pasur ulje të çmimit të energjisë elektrike. Një shembull konkret është Shqipëria, ku çmimet kanë shënuar rënie”, tregon ai, duke shtuar se ky vendim cenon interesin e qytetarëve.
“Ky vendim cenon interesin e qytetarëve dhe rëndon barrën e tyre financiare”, thekson Mulaj.
Ndryshe, propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind ka ngjallur reagime të shumta, Presidenca e Kosovës e ka kundërshtuar plotësisht këtë propozimin , po ashtu rreth këtij vendimi janë organizuar edhe protesta.
“Rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opsioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por një zgjidhje më e balancuar dhe e qëndrueshme duhet të jetë në qendër të këtij procesi”, kanë thënë nga Presidenca.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një deklarate mbrëmë kanë dhënë sugjerimin e tyre rreth vendimit të ZRRE-së.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh. Këto, duke marrë parasysh analizat tona të trendëve dhe shpërndarjes së konsumit të cilat i përmbledhim shkurtimisht më poshtë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë.
Ndërkohë, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve./Arbresh.info/Qëndresa Luma/
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia