Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar gatishmërinë për të zbutur tensionet me Poloninë lidhur me një kapitull të errët të historisë së përbashkët të dy vendeve.
”Ukraina është e gatshme të përshpejtojë procesin e zhvarrosjes së viktimave polake të masakrave të Volhinisë në fund të Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi sot Zelensky në Varshavë, pas një takimi me homologun e tij polak, Karol Nawrocki.
Deklaratat i referohen dëbimeve etnike dhe masakrave të viteve 1943–1945, kryesisht në rajonin e Volhinisë, i cili dikur ishte pjesë e Polonisë dhe sot ndodhet në territorin e Ukrainës.
Ushtria kryengritëse ukrainase vrau deri në 100 000 polakë, me synimin për të forcuar pretendimin ukrainas mbi territorin, duke u ngritur kundër pushtuesve gjermanë dhe duke eliminuar popullsinë civile polake.
Ukraina lejoi vetëm disa muaj më parë nisjen e gërmimeve për kërkimin e viktimave, ndërsa zhvarrimet kanë filluar në dy lokacione.
Megjithatë, procesi po ecën ngadalë, çka, sipas Kievit, lidhet me kushtet e vështira të krijuara nga pushtimi i vazhdueshëm rus.
Kjo çështje ka qenë prej kohësh burim tensioni mes Varshavës dhe Kievit.
Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022 dhe ka pranuar pothuajse një milion refugjatë ukrainas.
Nawrocki, një konservator kombëtar dhe kundërshtar i kryeministrit Donald Tusk, ka kërkuar vazhdimisht nga Ukraina më shumë mirënjohje dhe gatishmëri për kompromis.
Nawrocki historian në profesion, shprehu kënaqësi pas takimit, duke thënë se ishte i bindur se të gjitha pengesat burokratike dhe ligjore, që deri tani kishin bllokuar zgjidhjen e pasojave të masakrave të Luftës së Dytë Botërore, do të hiqen.
Nga ana e tij, Zelensky falënderoi popullin polak për ndihmën ushtarake dhe për pranimin e refugjatëve.
“Polonia na ka mbështetur gjithmonë, ka qenë gjithmonë në krahun tonë”, tha ai, duke shtuar se Ukraina do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë mbështetje.
Kryeministri i Bahamas: Ky është fillimi i një marrëdhënie q...
OKB: Uria në Gaza ka përfunduar, por situata mbetet kritike
Kurti premton 3.2 milionë euro për ndërtimin e rrugës Malish...
Në Rahovec gjenden mbetje mortore që dyshohet të jenë të një...
Komandanti i FSK-së takohet me shefin e Mbrojtjes së Lituani...
Haradinaj: Njohje nga Bahamas e rëndësishme, avancimin ndërk...