Sot në Jeddah, Arabi Saudite — nën mikpritjen e princit të kurorës Mohammed bin Salman — Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt rivendosjes së paqes së qëndrueshme për Ukrainën.
Ukraina shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë mes palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Federata Ruse.
Po ashtu, bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën.
Të dyja delegacionet ranë dakord të emërojnë ekipet e tyre negociuese dhe të fillojnë menjëherë negociatat për një paqe të qëndrueshme që garanton sigurinë afatgjatë të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara u angazhuan të diskutojnë këto propozime specifike me përfaqësuesit nga Rusia.
Delegacioni ukrainas ritheksoi se partnerët evropianë do të përfshihen në procesin e paqes.
Së fundi, presidentët e të dy vendeve ranë dakord të përmbyllin sa më shpejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve kritike minerale të Ukrainës për të zgjeruar ekonominë e saj dhe për të garantuar mirëqenien dhe sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
“Përfaqësuesit e të dyja vendeve lavdëruan guximin e popullit ukrainas në mbrojtje të kombit të tyre dhe ranë dakord se tani është koha për të nisur një proces drejt paqes së përhershme.
Delegacioni ukrainas ritheksoi mirënjohjen e fortë të popullit ukrainas ndaj presidentit Trump, Kongresit amerikan dhe popullit të Shteteve të Bashkuara për mundësimin e përparimit domethënës drejt paqes.
Delegacionet diskutuan gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve për ndihmë humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçanërisht gjatë armëpushimit të përmendur më sipër, duke përfshirë shkëmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e të ndaluarve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me force”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës, transmeton Reuters.
Në njoftimin e publikuar nga dy palët bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes.
BE mirëpret ratifikimin e Planit të Rritjes: 882 milionë eur...
Merz: Duam ta bëjmë Bundeswehr-in ushtrinë më të fortë në Ev...
Aksident mes veturës dhe trenit në Prishtinë, një person i l...
Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës...
Shtyhet seanca për buxhetin 2026, opozita kërkon kohë
Murati: Ky është buxhet emergjence, do ta miratojmë një të r...