Udhëheqësit evropianë pritet që sot të miratojnë kandidaturat për pozitat kryesore drejtuese të institucioneve të Bashkimin Evropian. Kryetarja e tanishme e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të propozohet për një mandat të ri në krye të këtij institucioni, ndërsa ish kryeministri portugez Antonio Costa do të emërohet president i Këshillit Evropian. Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimin e ashpër ndaj Rusisë, do të propozohet për të zëvendësuar shefin e politikës së jashtme, Josep Borrell.
Në Bruksel po bëhen përgatitjet e fundit për takimin dy ditor të udhëheqësve evropianë, të cilët pritet të zgjedhin drejtuesit kryesorë të Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Udhëheqësit e bllokut më të madh tregtar në botë, të përbërë nga 27 shtete anëtare, pritet të miratojnë edhe për një mandat zonjën Ursula von der Leyen në postin e kryetares së Komisionit Evropian, ish kyrministrin portugez Antonio Costa për të zëvendësuar presidentin aktual të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministren estoneze Kaja Kallas për të zëvendësuar Përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell.
Miratimi i tyre u mundësua pas arritjes së një marrëveshjeje në fillim të javës në mes të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian – partive konservatore, atyre social-demokrate dhe partive liberale, përkundër kritikave të ashpra nga e djathta e skajshme.
“Jemi të lumtur që propozimi ynë për emërimin e Ursula von der Leyen-it për të vazhduar si kryetare e Komisionit Evropian do të përkrahet në takimin e sotëm të Këshillit Evropian…Ata që duan përkrahjen tonë duhet të kenë qëndrim të qartë për të ndaluar emigracionin e jashtëligjshëm, për procesin e rimëkëmbjes ekonomike të Evropës dhe për sigurinë në nivelin evropian. Këto janë premtimet kryesore që kemi bërë dhe njerëzit presin që t’i realizojmë ato,” deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, EPP, Manfred Weber.
Zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Evropian e bëjnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ndërsa kandidaturat e zonjës Von der Leyen dhe zonjës Kallas duhet të miratohen nga Parlamentit Evropian.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane, partitë e djathta shënuan përparim, në veçanti në Gjermani, Francë dhe Itali, por tre grupet kryesore politike në parlamentin evropian vazhdojnë të kenë shumicën. Kundërshtimet e partive të së djathtës ekstreme për kandidaturat nuk u morrën parasysh.
Në prag të takimit të BE-së, Kryeministrja Meloni kritikoi marrëveshjen për postet e larta të institucioneve evropiane, duke thënë se ajo nuk mori parasysh vullnetin e qytetarëve të BE-së për një “Evropë më konkrete dhe më pak ideologjike.”
Presidenti i Komisionit Evropian është përgjegjës për hartimin e politikave të Bashkimit Evropian, duke filluar nga menaxhimi i çështjeve klimatike e deri te buxheti i përbashkët i bllokut. Ndërkaq, puna kryesore e presidentit të Këshillit Evropian është të ndërmjetësojë marrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri përfaqëson BE-në në skenën globale.
Takimi i të enjtes fillon me nënshkrimin e një marrëveshje për sigurinë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të përmbushin premtimet për të siguruar pajisje ushtarake për Ukrainën, vetëm pak ditë pasi blloku nisi negociatat për anëtarësim me qeverinë e tij.
“Duhet të punojmë për hapat e ardhshëm. Njëra prej çështjeve urgjente është mbrojtja ajrore….Falenderoj shtetet që premtuan pajisje, armë dhe municione, por ato na duhen urgjentisht në fushëbetejë,” tha Presidenti Zelenskyy.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, agjenda e takimit përpos çështjeve të mbrojtjes, përfshinë plane për të forcuar Bashkimin Evropian për t’i bërë ballë trysnive ekonomike nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe përgatitjen e bllokut për një valë të re zgjerimi, që do të përfshinte Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor./voa/
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...