Udhëheqësit evropianë dënojnë vrasjen e protestuesve në Iran

08:13 | 10 Janar 2026
E.K

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës e kanë dënuar vrasjen e protestuesve në Iran dhe i kanë bërë thirrje Teheranit të “përmbahet”, pas shtypjes brutale të demonstratave kundër pushtetit klerikal.

Thuhet se të paktën 51 njerëz janë vrarë dhe mbi 2.000 të tjerë janë arrestuar gjatë në dy javët e fundit, të cilat fillimisht u nxitën nga zemërimi për gjendjen e rënduar të ekonomisë së vendit.

Udhëheqësit iranianë e kanë ndërprerë gjithashtu qasjen në internet dhe thirrjet telefonike ndërkombëtare si përgjigje ndaj protestave.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se janë “thellësisht të shqetësuar për raportimet mbi dhunën nga forcat e sigurisë iraniane” dhe dënuan “fuqishëm” vrasjen e protestuesve.

Udhëheqësit shtuan: “Autoritetet iraniane e kanë përgjegjësi ta mbrojnë popullsinë e tyre dhe duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor pa frikë nga ndëshkimi”.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve të Iranit”.

Protestat në Iran filluan më 28 dhjetor dhe janë shndërruar në sfidën më të rëndësishme ndaj pushtetit prej disa vitesh.

Shpërndaje në rrjete sociale