U qëllua në kokë nga një 15-vjeçar, kandidati presidencial kolumbian në gjendje kritike

14:47 | 8 Qershor 2025
E.G

Një 15-vjeçar është arrestuar pasi senatori kolumban I cili kandidon për president të ardhshëm të vendit, u qëllua dhe u plagos gjatë një tubimi në Bogota.

Senatori Miguel Uribe Turbay, 39 vjeç, u shënjestrua gjatë aktivitetit të fushatës në një park në zonën Fontibon të kryeqytetit kolumbian, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ai pësoi dy plagë nga arma e zjarrit kur sulmuesit e armatosur e qëlluan.

Sipas një raporti mjekësor në spitalin e Fondacionit Santa Fe, ai u pranua atje në një “gjendje kritike” dhe ende po i nënshtrohet një “procedure neurokirurgjike dhe vaskulare periferike”.

Gruaja e tij, Maria Claudia Tarazone shkroi në “X” se ai “po lufton për jetën e tij” dhe u kërkoi kolumbianëve të luten për të.

Dy persona të tjerë u plagosën, por natyra e plagëve të tyre nuk është bërë publike.

Një i dyshuar, një djalë 15-vjeçar, u arrestua në vendngjarje me armë zjarri dhe po trajtohet për një lëndim në këmbë, tha shefi i policisë, gjenerali Carlos Triana.

Qeveria po ofron një shpërblim prej 730 mijë dollarësh për informacion dhe presidenti Gustavo Petro tha se hetimi do të fokusohet në atë se kush e urdhëroi sulmin.