Ish-kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto, i përfolur si kandidat i mundshëm për të zëvendësuar emisarin Miroslav Lajçak në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, është gjithashtu në proces për një pozitë të rëndësishme në Kombet e Bashkuara, që lidhet me Lindjen e Mesme.
Sipas gazetës izraelite, Ynetnews, Finlanda ka kërkuar përkrahjen e Izraelit për emërimin e Haavisto-s si koordinator special i procesit të paqes të OKB-së në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Izraeli ka shprehur kundërshtimin e tij, duke rrezikuar emërimin e Haavisto-s në këtë pozitë.
“Të martën, u bë e qartë se emërimi i deputetit Haavisto si koordinator special i procesit të paqes të OKB-së në Lindjen e Mesme është rrezikuar në fazat përfundimtare për shkak të kundërshtimit të Izraelit”.
Një burim i njohur me çështjet e OKB-së ka theksuar se shanset e Haavisto-s për t’u zgjedhur janë dobësuar, veçanërisht nëse udhëheqësit izraelitë kanë deklaruar hapur se nuk e mbështesin atë për këtë pozicion.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka autoritetin për të marrë vendimin përfundimtar për këtë emërim.
Megjithatë, në raste të tilla, pikëpamjet e palëve të përfshira zakonisht merren parasysh.
Kush janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto?
Si Sorensen, ashtu edhe Haavisto kanë përvojë dhe njohuri rreth Ballkanit Perëndimor.
Peter Sorensen nga Danimarka, ka më shumë përvojë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian sesa karrierë politike në vendin e tij.
Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.
Ai ka mbi 15 vjet përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në rajonin e Ballkanit ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.
Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.
Ai aktualisht është këshilltar në EEAS për diplomaci digjitale.
Në anën tjetër, Pekka Haavisto ka qenë ministër i jashtëm i Finlandës. Në atë cilësi ai e kishte vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë.
Haavisto ka mbështetur fuqishëm procesin e dialogut dhe ka kritikuar Serbinë për lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën e ka kritikuar kur kishte vendosur tarifa ndaj importit të mallrave nga Serbia vite më parë.
Si ministër i Jashtëm i Finlandës, Haavisto ka qenë mbështetës i madh i procesit të zgjerimit të BE-së dhe avancimit të raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Haavisto, në kohën e pas luftës në Kosovë, ka punuar edhe në strukturat a Administratës së UNMIKU-ut, që janë marrë me pasojat ekologjike pas luftës.
Ai ka garuar tri herë në zgjedhjet për president të Finlandës. Gjithmonë ka përfunduar në pozitën e dytë. Haavisto në karrierën e tij politike ka qenë edhe ministër i Mjedisit i Finlandës.
LEXO EDHE:
Haavisto e Sorensen, kandidatë favorit për emisar të BE-së për dialog
Eskalon debati në Big Brother VIP Albania 5
Fshehur në ngarkesën me arra, sekuestrohen 435 kg kokainë në...
Rritja e Nico Paz në Serie A, por edhe emra tjerë nuk mbeten...
Vuçiq thotë se ka pritur më shumë nga Trumpi
Shqipëria s’do ta rrisë çmimin e rrymës më 2026, thotë Karak...
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim