Twitter pezulloi një llogari të rreme të Liderit Suprem të Iranit

20:20 | 22 Janar 2021

Twitter pezulloi përgjithmonë një llogari të rreme që pretendonte se ishte e ndërlidhur me Liderin Suprem të Iranit, Ali Khamenei, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportimeve, një zëdhënës i Twitter-it tha se llogaria u pezullua pasi u zbulua se shkel rregullat e platformës dhe se është llogari e rreme.

Veprimi u ndërmor pasi llogaria përmes një postimi u zotua se “hakmarrja është e pashmangshme” dhe ndau një imazh të një lojtari golfi që i ngjan ish-presidentit amerikan Donald Trump nën hijen e një droni të madh.

Në postim bëhej thirrje për hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, ish-komandant i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, i cili u vra në një sulm me dron të urdhëruar nga ish-presidenti amerikan në Bagdad më 3 janar 2020.

Llogaria kryesore liderit iranian në Twitter, si dhe llogaritë e tjera në gjuhë të ndryshme, nuk u ndikuan nga pezullimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara