Turqia i shënon mbi 3 mijë raste të reja të koronavirusit

08:28 | 7 Prill 2020
M. A.

Turqia i ka regjistruar 3 mijë e 148 raste të reja të koronavirusit, bëri të ditur ministri turk i shëndetësisë, Fahrettin Koca. Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë shtet shkoi në 30 mijë e 217.

Deri më tani, 1326 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, ndërsa 1415 të tjerë ndodhen nën kujdes intensiv, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Vetëm të hënën janë kryer 21 mijë e 400 teste për koronavirus dhe numri i përgjithshëm i testimeve ka shkuar në mbi 200 mijë.

“Së shpejti do t’i kryejmë 30 mijë teste në ditë. Është duke vazhduar rritja e numrit të pacientëve të shëruar. Rritja e numrit të rasteve të reja është e vogël në krahasim me rritjen e numrit të testeve”, tha ministri turk.

Deri më tani, nga koronavirusi në Turqi kanë vdekur 649 persona. Kjo është shifër relativisht e vogël në krahasim me rastet e vendeve të tjera që kanë numër të përafërt të popullsisë.

Rastet e para të koronavirusit u shënuan në dhjetor të vitit të kaluar në Wuhan të Kinës, ndërsa virusi tashmë i ka prekur mbi 1.3 milion njerëz në mbarë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale