Trump lidh Serbinë me përpjekjet për të vjedhur zgjedhjet presidenciale në SHBA

19:42 | 3 Dhjetor 2025
E.G

Presidenti amerikan, Donald Trump të martën ndau në rrjetin personal social “Truth Social” një postim nga platforma X, në të cilin thuhet se Elon Musk pengoi manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024, duke bllokuar kompjuterët e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi.

Ai humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 për mandatin e dytë nga kandidati demokrat Joe Biden. Ai pretendonte se demokratët kishin vjedhur zgjedhjet, dhe këto pretendime kulmuan me sulmin e mbështetësve të tij në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021, shkruan N1.

Tani ai ka shpërndarë mesazhin e një besniku të tij me llogari të verifikuar, Johnny St. Pete, i cili në X publikoi informacione nga komentatori dhe kolumnisti konservator amerikan, Benny Johnson, që sipas tij, pronari i X-it, Elon Musk, shpëtoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 duke monitoruar IP adresat në vendet e huaja përmes të cilave numëroheshin votat dhe duke bllokuar kompjuterët e tyre.

“Musk e dinte se do të fitonte zgjedhjet dhe duket se kjo ndodhi sepse identifikuan sistemet dhe makineritë në vendet e huaja që do të bënin atë që pamë në 2020“, shkroi St. Pete në postimin që ndau edhe Trumpi, transmeton Telegrafi.

Ai shton se Musku ka ndjekur IP adresat e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi dhe i ka bllokuar kompjuterët disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2024. Në postimin e tij, me të cilin duket se pajtohet edhe Trump, St. Pete i referohet Emerald Robinson, ish-korrespondente nga Shtëpia e Bardhë që ka punuar për disa media, përfshirë Newsmax, dhe tani është një nga teoricienet më të njohura të konspiracionit në SHBA.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme