Trump dhe Netanyahu takohen në Florida për të diskutuar fazën tjetër të planit për Gazën

21:52 | 29 Dhjetor 2025
E.H

Presidenti amerikan Donald Trump u takua në Florida me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar mbi armëpushimin në Gaza, marrëdhëniet me Iranin dhe grupin Hezbollah.

Trump mbajti një ton mbështetës ndaj Netanyahut, duke theksuar se faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin duhet të nisë sa më shpejt, por vetëm pas çarmatosjes së grupit palestinez.

Ai u shpreh gjithashtu i gatshëm të mbështesë një sulm izraelit ndaj Iranit nëse Teherani vazhdon programet e raketave dhe armëve bërthamore.

Takimi erdhi në një kohë kur marrëveshja e armëpushimit e tetorit mes Izraelit dhe Hamasit po përballet me shkelje të shpeshta dhe mungesë progresi. Netanyahu ka kërkuar që faza e parë të përfundojë me kthimin e eshtrave të pengut izraelit Ran Gvili, përpara hapave të tjerë. Ndërkohë, Izraeli nuk ka hapur ende pikën e kalimit në Rafah, një kusht i planit të Trump.

Në sfond, Uashingtoni po shtyn për krijimin e një administrate kalimtare palestineze dhe një force ndërkombëtare sigurie për Gazën, ndërsa Izraeli mbetet i kujdesshëm. Armëpushimet e ndërmjetësuara nga SHBA kanë përfshirë edhe Libanin dhe Iranin, por tensionet vazhdojnë. Në Gaza, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 400 palestinezë që nga tetori, ndërsa militantët palestinezë kanë vrarë tre ushtarë izraelitë.

Në Liban, armëpushimi me Hezbollahun po testohet, me progres të ngadaltë dhe sulme të përditshme nga Izraeli për të ndaluar rindërtimin e grupit. Netanyahu pritet t’i paraqesë Trumpit të dhëna mbi aktivitetet e Iranit, ndërsa Trump ka lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje me Teheranin pas sulmeve të SHBA-së ndaj centraleve bërthamore iraniane në qershor./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale