Tërmeti 7.8 në Filipine: 46 të vdekur, vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit

09:03 | 10 Qershor 2026
E H

Filipinet po përballen me pasoja të rënda pas tërmetit me magnitudë 7.8 Rihter që goditi disa ditë më parë pranë ishullit Mindanao, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në infrastrukturë dhe zona të banuara.

Sipas autoriteteve, numri i viktimave ka arritur në të paktën 46 persona, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa 17 persona ende rezultojnë të zhdukur dhe frika është se bilanci i viktimave mund të rritet.

Tërmeti ka shkaktuar shembje ndërtesash dhe rrëshqitje dheu në disa provinca, me dëmet më të mëdha të raportuara në Davao Occidental. Shumë nga viktimat janë shkaktuar nga shembjet e ndërtesave dhe rrëshqitjet e dheut, sipas autoriteteve të mbrojtjes civile.

Agjencia filipinase e fatkeqësive ka konfirmuar 45 viktima, ndërsa një tjetër trup është raportuar nga shërbimet e mbrojtjes civile, duke e çuar numrin në 46.

Pas tërmetit janë regjistruar qindra lëkundje pasuese, përfshirë 23 të forta, me më të madhin që arriti magnitudën 6.7, duke detyruar shumë banorë të kalojnë natën në strehimore të përkohshme.

Shkollat në disa zona mbeten të mbyllura ndërsa autoritetet po inspektojnë mijëra ndërtesa për dëme strukturore. Ndërkohë, në spitale pacientët po trajtohen në tenda të improvizuara për shkak të dëmtimeve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Filipinet ndodhen në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike në botë, ku tërmetet janë të shpeshta, por ky konsiderohet ndër më shkatërruesit e viteve të fundit.