Tensione elektorale në New York, përballja Cuomo – Mamdani që po e ndan qytetin

18:04 | 3 Nëntor 2025
E.G

New York është në prag të një përplasjeje politike që po e ndan qytetin si rrallëherë më parë.

Fushata për zgjedhjet për kryetar bashkie po shndërrohet në një referendum mbi figurën e Zohran Mamdani, politikani progresist me origjinë nga Uganda që përfaqëson krahun e majtë të Partisë Demokratike.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, kundërshtarët e Mamdani-t po mobilizohen me moton e pashpallur “kushdo, përveç tij”. Në disa zona konservatore si Staten Island, dominon frika ndaj “eksperimenteve socialiste” që Mamdani ka propozuar, nga rritja e taksave e deri te politikat pro-emigracionit.

“Ne jemi patriota dhe njerëz të qetë, nuk na duhen revolucionet e Mamdani-t”, tha një banor.

Në anën tjetër të qytetit, në lagjen South Williamsburg, komuniteti çasidik hebre është gjithashtu në alarm. Më shumë se një mijë rabinë amerikanë kanë nënshkruar një letër ku paralajmërojnë se fitorja e Mamdani-t do të kërcënonte “sigurinë dhe dinjitetin e hebrenjve në çdo qytet amerikan”. Shkak për këtë frikë janë qëndrimet e tij të ashpra kundër Izraelit dhe mbështetja për lëvizjen BDS.

Ndërkohë, kandidati demokrat tradicional Andrew Cuomo, ish-guvernatori i New York-ut, po përfiton nga kjo valë pasigurie. Edhe pse dikur u kritikua si pjesë e elitës politike, sot shihet si “e keqja më e vogël” nga shumë votues të moderuar.

Në qendër të Manhattan-it, biznesmenët dhe pronarët e pasurive të paluajtshme shprehin shqetësim se politikat e majta të Mamdani-t do të rrëzojnë tregun imobiliar. “Do të rriten taksat, do të bjerë vlera e pasurive dhe do të mbyllen bizneset”, thonë për La Repubblica disa agjentë imobiliarë.

Në horizont, figura e Donald Trump vazhdon të projektojë hijen e vet mbi garën. Presidenti, sipas gazetës italiane, e sheh këtë përballje si një “situatë win-win”. Nëse fiton Cuomo, do të ketë një rival të kontrollueshëm; nëse fiton Mamdani, një armik ideal për të ringjallur retorikën kundër “socializmit në SHBA”.

Rezultati pritet të jetë i ngushtë. Në selinë e Mamdani-t, në Queens, përkrahësit e tij po përgatiten për ditën e zgjedhjeve me optimizëm dhe me një frymë simbolike të rezistencës. Sipas La Repubblica, dje në zyrat e tij jehonte kënga e Leonard Cohen “First we take Manhattan, then we take Berlin.”

Një varg që për shumëkënd përmbledh shpirtin e një beteje që po i jep New York-ut fytyrën e një qyteti të ndarë mes frikës dhe shpresës.

Të ngjashme