Të paktën 37 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të rrufeshme të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në provincën bregdetare atlantike të Safit, kanë bërë të ditur autoritetet marokene.
Transmetuesi shtetëror SNRT News raportoi të hënën, duke cituar autoritetet lokale, se të paktën 14 persona kanë marrë trajtim mjekësor në spital, përfshirë dy në kujdes intensiv, pas reshjeve të papritura dhe intensive të së dielës.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë ujëra të rrëmbyeshme e me baltë që përfshijnë rrugët e qytetit Safi, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit Rabat, duke marrë me vete automjete dhe kosha mbeturinash. Sipas autoriteteve, mbi 70 shtëpi dhe biznese në qytetin e vjetër historik u përmbytën brenda vetëm një ore reshje të forta.
Në një njoftim zyrtar, prefektura e Safit tha se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar dhe se janë marrë masat e nevojshme për sigurimin e zonave të prekura dhe ofrimin e ndihmës për banorët.
Një banor i qytetit, Marouane Tamer, i cituar nga agjencia AFP, ka ngritur pyetjen pse automjetet qeveritare nuk janë angazhuar në kohë për të pompuar ujin nga zonat e përmbytura.
Dëmet në infrastrukturë kanë ndërprerë qarkullimin në disa rrugë hyrëse dhe dalëse të qytetit portual. Gazeta “Le Matin” raportoi se rruga provinciale 2300, që lidh Safin me Hrara, rreth 20.5 kilometra në verilindje, është ndër më të goditurat. Po ashtu, drejtoria provinciale e arsimit në Safi ka pezulluar mësimin në të gjitha shkollat për ditën e hënë, transmeton Aljazeera.
Deri të dielën në mbrëmje, niveli i ujit kishte rënë, ndërsa banorët nisën të kërkojnë mes baltës për të shpëtuar sendet e tyre. Ndërkohë që ekipet vazhdojnë kërkimet për viktima të mundshme, shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar reshje të tjera të dendura për të martën në mbarë vendin.
Maroku po përballet me reshje të shumta shiu dhe bore në Malet Atlas, pas shtatë vitesh thatësire që kishin zbrazur disa nga rezervuarët kryesorë të vendit. Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë ka bërë të ditur se viti 2024 ka qenë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në Marok.
Në vitin 2021, përmbytjet shkaktuan vdekjen e 24 personave në Tangier, pas përmbytjes së një punishteje ilegale tekstili në një shtëpi private. Reshje të rrëmbyeshme kishin shkaktuar përmbytje të gjera edhe në vitet 2014 dhe 2015.
Përmbytjet e së dielës vijnë vetëm pak ditë pas një fatkeqësie tjetër në Marok, ku javën e kaluar 19 persona humbën jetën dhe 16 të tjerë u plagosën nga shembja e dy ndërtesave në qytetin historik të Fesit./rtk
Turistët në Shqipëri sollën 4.4 miliardë euro, shqiptarët sh...
Haxhiu fton qytetarët të marrin pjesë në tubimin e LVV-së ne...
Barcelona raportohet në La Liga nga një klub tjetër për tran...
Konjufca: Lotët e nanës Rukë janë lot të dhimbjes por edhe k...
Parashikimi i motit për nesër
Momente tensionuese në shtëpi, Edi kupton të vërtetën çka th...