Suedia pritet të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s në Uashington sot, dy vjet pasi agresioni rus ndaj Ukrainës solli si rezultat rishikimin e politikave të sigurisë kombëtare nga ana e saj duke pasur parasysh garancitë e sigurisë që ofron Aleanca.
Kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson ndodhet në Uashington për të dorëzuar dokumentacionin final për anëtarësim, ndërsa Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate, përpara fjalimit të Presidentit Joe Biden mbi gjendjen e vendit, se Suedia do t’i bashkohej aleancës ditën e sotme.
“Përfshirja e Suedisë në aleancën e NATO-s do t’i bëjë shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë më të sigurtë”, thuhej në deklaratë.
Kristersson tha se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e kishte informuar se Suedia ishte ftuar zyrtarisht që të bëhej pjesë e Aleancës, pasi të gjithë vendet anëtare kishin miratuar protokollin e Suedisë për anëtarësim.
“Suedia do të jetë shumë shpejt vendi i 32 anëtar i NATO-s”, tha Kristersson përmes një postimi në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Qeveria suedeze njoftoi veçmas se do të merrte vendimin formal për të hyrë në NATO, të enjten.
Për NATO-n anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës, që ndajnë një vijë kufitare prej 1, 340 kilometrash me Rusinë, përfaqëson zgjerimin më domethënës të Aleancës për dekada të tëra. Paraqet gjithashtu një goditje për Presidentin e Rusisë Vladimir Putin i cili ka synuar të pengojë forcimin e mëtejshëm të Aleancës.
Suedia do të mund të përfitojë nga garancitë e Aleancës për mbrojtjen të përbashkët, sipas parimit, sulmi ndaj një vendi anëtar, cilësohet si sulm ndaj të gjithë NATO-s.
“Duhet të përballemi me botën siç është dhe jo siç do të donim që të ishte”, tha Kristersson pasi Hungaria u bë vendi i fundit anëtar i NATO-s që ratifikoi protokollin e Suedisë për anëtarësim, javën e kaluar.
Anëtarësimi i Suedisë sjell në Aleancë burime të rëndësishme, nëndetëset e fjalës së fundit dhe një flotë të konsiderueshme me avionë ushtarakë Gripen të prodhimit suedez.
Rusia ka kërcënuar se do të ndërmarrë “masa politike dhe ushtarako-teknike” në përgjigje të këtij akti të Suedisë, por pa dhënë detaje se cilat do të jenë këto hapa.
Stokholmi hoqi dorë nga politika e neutralitetit pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022.
Anëtarësimi i saj vjen pasi vitin e kaluar, Aleancës, ia bashkua Finlanda.
Suedia, ndryshe Finlanda, u përball me vonesa, për shkak të Turqisë dhe Hungarisë, dy shtete që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë, të cilat vonuan ratifikimin e protokollit për anëtarësim.
Turqia e miratoi kërkesën e Suedisë në janar.
Hungaria e vonoi miratimin derisa zoti Kristersson vizitoi Budapestin në 23 shkurt, ku dy vendet ranë dakord për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes./voa
Kurti pret përfaqësues të Parlamentit britanik në Prishtinë,...
Gjeneralmajori i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Osborn uron Kos...
Zhbllokohet rruga drejt Malit të Zi, lejohet qarkullimi për ...
Trupat shqiptare në stërvitje për KFOR ’36 në Gjermani, Veng...
Përfundojnë bisedimet në Gjenevë, Zelensky akuzon Rusinë për...
Arrestohet një i ri në Ferizaj, konfiskohet armë zjarri edhe...