Spanja heq dorë nga blerja e aeroplanëve amerikan F-35

16:40 | 6 Gusht 2025
E.H

Spanja është tërhequr nga planet për të blerë aeroplanët luftarakë F-35, të prodhuar nga gjigandi amerikan i aviacionit Lockheed Martin.

Qeveria kishte parashikuar në buxhetin për vitin 2023 shumën prej 6,25 miliardë eurosh për blerjen e aeroplanëve të rinj luftarakë, shkruan El Pais.

Megjithatë, plani i qeverisë spanjolle që shumicën e 10,5 miliardë eurove shtesë të destinuara për mbrojtje këtë vit t’i shpenzojë në Evropë, e ka pamundësuar blerjen e aeroplanëve luftarakë të prodhuar nga SHBA, thuhet në artikull.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kishte njoftuar më herët këtë vit për plane për të rritur shpenzimet për mbrojtje.

E gjithë kjo me qëllimin për të arritur objektivin aktual të NATO-s prej dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por më vonë, gjatë samitit të qershorit, refuzoi t’i rrisë këto shpenzime në pesë për qind.

Qëndrimi i Sanchezit u kritikua ashpër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kërcënoi me vendosjen e tarifave shtesë për mallrat nga ky vend. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme