Sindikatat shpallin grevë në Itali kundër buxhetit

07:32 | 13 Dhjetor 2025
R J

Shkollat, zyrat publike, transporti publik – sot jeta publike pritet të paralizohet në shumë pjesë të Italisë. Sindikatat kanë thirrur një grevë kundër ligjit të buxhetit. Ato e konsiderojnë atë të padrejtë.

Greva prek pothuajse të gjitha sektorët e jetës publike: transportin publik dhe hekurudhor, shkollat, zyrat publike, shërbimet sociale. Do të ketë gjithashtu kufizime në sektorin e shëndetësisë. Projektligji për buxhetin e vitit 2026 po përballet me rezistencë të fortë.

Maurizio Landini, sekretar i përgjithshëm i sindikatës më të madhe italiane, CGIL, e shpreh kështu: “Ne e shpallëm këtë grevë për të sjellë një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve, veçanërisht të atyre që duhet të fitojnë jetesën duke punuar.” Sindikata e tij kërkon paga më të larta. “Ne kërkojmë investime në shëndetësi dhe arsim,” thotë Landini. “Ne kërkojmë që të merren masat e nevojshme për të rivendosur drejtësinë sociale, e cila nuk ekziston më në këtë vend.”

Pagat krahasuar me mesataren e BE janë të ulëta

Para së gjitahsh pagat në Itali janë mjaft të ulëta krahasuar me mesataren e BE-së, pjesërisht sepse nuk ka pagë minimale dhe fuqia blerëse ka ngecur për vite me radhë. Kryeministrja Giorgia Meloni e di këtë, por nuk dëshiron ta pranojë kritikën.

Ajo thotë se po punohet në këtë drejtim dhe paraqet masat e saj: “Ne jemi angazhuar për punëtorët me paga të ulëta dhe kemi ulur taksat mbi rritjet e pagave, në mënyrë që ajo që fitohet pas rinovimit të kontratave të tatohet vetëm me 5%.” Kjo është një masë që e kishin kërkuarsindikatat. “CGIL-i e kishte kërkuar,” thotë Meloni. “Dhe si reagoi? Me grevë të përgjithshme.”

Agjencia e vlerësimit ka rritur për herë të parë vlerësimin e Italisë

Gjatë prezantimit të buxhetit, Kryeministrja Meloni përmend gjithashtu se ka rritur investimet në sektorin e shëndetësisë dhe se ka ulje taksash për të ardhurat e mesme. Këto masa kritikohen nga sindikatat dhe ekspertët si të parëndësishme dhe joefektive.

Megjithatë, Italia po merr mbështetje për politikën e saj buxhetore. Agjencia e vlerësimit Moody’s e rriti vlerësimin e vendit në nëntor për herë të parë në 23 vjet, gjë që do të thotë se Italia tani konsiderohet disi më e aftë për pagesë, borxhi i saj mbetet brenda kufijve të vendosur dhe vendi konsiderohet politikisht i qendrueshëm.

Sindikatat kërkojnë më shumë investime në arsim dhe shëndetësi

Buxheti i qeverisë është hartuar për të ruajtur këtë status. Nuk bëhet fjalë për nxitjen e mirëqenies së njerëzve, por vetëm për ruajtjen e këtij statusi, kritikon presidenti i sindikatës Landini. Qëllimi i buxhetit është t’i përmbahet rregullit të deficitit 3% të BE. “Dhe jo vetëm sepse bën që llogaritë të duken më të mira,” thotë kreu i sindikatës, “por sepse e nxjerr Italinë nga borxhi dhe i jep më shumë mbështetje për të investuar për armatim.”

Landini u referohet diskutimeve të Bashkimit Evropian, sipas të cilave shpenzimet ushtarake të një shteti anëtar mund të përjashtohen nga llogaritjet e borxhit publik. Për kryeministren Meloni, nuk ka asnjë dyshim se Italia dëshiron të rrisë shpenzimet e saj ushtarake. Strategjia e saj përputhet me buxhetin.

A është stabiliteti ekonomik më i rëndësishëm se pagat e mjaftueshme?

Sindikatave dhe opozitës u duket se stabiliteti ekonomik dhe shpenzimet ushtarake janë më të rëndësishme se pagat e mjaftueshme, një sistem shëndetësor funksional dhe shkolla të mira. Landini beson se mungesa e investimeve në këto fusha do ta dëmtojë vendin në plan afatgjatë, pasi Italia ende merr shumë para nga fondi i rimëkëmbjes së BE. Kur të skadojë afati për aplikimin për të vitin e ardhshëm, situata e Italisë do të komplikohet./DW/