Si po planifikon BE-ja t’ua mbyllë dyert ushtarëve rusë?

16:42 | 1 Korrik 2026
E H

Kur Komisioni Evropian paraqiti te vendet anëtare propozimet e tij për paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë më herët gjatë këtij muaji, një sugjerim kyç ishte ndalesa në Zonën Shengen për çdokënd që ka luftuar për ushtrinë ruse apo milicitë pro Kremlinit në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.

Fillimisht kishte pak detaje, por tani po zbulohen më shumë informacione. Estonia ishte shteti i parë që sinjalizoi që hyrja e rusëve në BE mund të jetë problem, duke u tërhequr vërejtjen kryeqyteteve të tjera të BE-së se rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, ndërkaq afër 650.000 të tjerë janë në shërbim aktiv ushtarak. Talini po ashtu paralajmëroi se ka një lidhje mes ish-ushtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë: Vlerësohet se 180.000 të burgosur janë rekrutuar për të shërbyer në njësitet speciale të ushtrisë dhe shumë nga ta veçse u janë rikthyer aktiviteteve kriminale.

Statistikat e BE-së tregojnë një rritje të numrit të vizave turistike të zonës Shengen të lëshuara për rusët gjatë vitit 2025, duke arritur në gati 480.000.
Shtetet e BE-së kërkojnë rregulla më të ashpra për refuzimin e vizave turistike për rusët
Në fillim të këtij viti, me rritjen e frikës se shumë nga ish-luftëtarët do të shkonin edhe në BE, Estonia nisi identifikimin e ushtarëve dhe ish-ushtarëve, kryesisht duke përdorur llogaritë në rrjetet sociale dhe nisi të shqiptonte të ashtuquajturin ndalim për hyrje në Shengen për qindra prej tyre. Një ndalesë e tillë, që është e vlefshme për pesë vjet, ia pamundëson çdo shtetasi që vjen nga shtetet që nuk janë në BE që të hyjë në të gjitha vendet e bllokut evropian, përveç Qipros dhe Irlandës si dhe në vendet joanëtare të Zonës Shengen sikurse Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Teksa lëshimi ose refuzimi i vizave është kompetencë kombëtare, një qasje më gjithëpërfshirëse e BE-së do të ishte e nevojshme që këto ndalesa të funksiononin. Prandaj, shtetet anëtare të BE-së – si gjatë samitit të liderëve në mars, ashtu edhe tani në qershor – i kanë kërkuar KE-së që të përgatisë vlerësime të ndryshme mbi mënyrat për ta bërë më të lehtë ndalimin e këtyre personave. Javën e kaluar, KE-ja dorëzoi një vlerësim prej tre faqesh, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbi çështjen e “mënyrave të mundshme për adresimin e çështjes së luftëtarëve rusë”, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për këtë temë – si dhe për sanksionet e tjera – deri në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së më 13 korrik në Bruksel.

Çfarë përmbajnë propozimet?
Propozimi i parë është një përditësim i udhëzimeve të KE-së të vitit 2022 për lëshimin e vizave për personat që aplikojnë nga Rusia. Lëshimi i vizave ka qenë veçse shumë i rreptë që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, pasi Brukseli pezulloi marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Moskën. Kjo çoi në tarifa më të shtrenjta, kohë më të gjatë pritjeje dhe kërkesa për më shumë dokumentacion.

Megjithatë, kjo ende nuk ka parandaluar ardhjen e shtetasve rusë në numër të madh me viza turistike, shpesh të lëshuara nga shtetet jugore të BE-së që varen nga turizmi.

Ky ndryshim do t’u ofronte shteteve anëtare të BE-së udhëzime shtesë se si t’i vlerësojnë aplikimet nga ish-luftëtarët rusë, duke theksuar veçanërisht se barra e provës duhet të jetë mbi aplikantin dhe jo mbi konsullatën e shtetit anëtar të BE-së që e shqyrton aplikimin./REL

Shpërndaje në rrjete sociale