Shpërthejnë protesta të dhunshme në Marok, mbi 400 të arrestuar dhe qindra të plagosur

23:49 | 1 Tetor 2025
E.H

Autoritetet në Marok kanë arrestuar mbi 400 persona gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara në disa qytete të vendit, ku mijëra të rinj dolën në rrugë duke kërkuar reforma në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

Ministria e Brendshme konfirmoi se gjatë përplasjeve janë plagosur 263 efektivë të sigurisë dhe 23 civilë, ndërsa dhuna është përshkallëzuar me djegien e makinave dhe grabitje në biznese.

Protestat, të organizuara online nga një grup anonim që e quan veten “GenZ 212”, u shtrinë në qytetet Ait Amira, Inezgane, Agadir dhe Tiznit në rajonin e Souss, si dhe në Oujda në lindje të vendit. Demonstruesit, sipas autoriteteve, përdorën thika, gurë dhe kokteje molotov ndaj forcave të rendit, ndërkohë që u dogjën 142 automjete policie dhe 20 makina private.

Në rrjetet sociale u publikuan pamje që tregonin bankomate të shkatërruara dhe ndërtesa bankare të dëmtuara.

Grupi “GenZ 212” ka deklaruar se distancohet nga aktet e dhunës dhe se synimi i tyre është të vazhdojnë protestat në mënyrë paqësore, duke theksuar se kundërshtia e tyre është me qeverinë, jo me forcat e sigurisë. Ministria e Brendshme e Marokut ka nënvizuar se respekton të drejtën për të protestuar, por paralajmëroi se do të përgjigjet ndaj dhunës me “përmbajtje dhe vetëkontroll”.

Këto protesta janë konsideruar si më të dhunshmet në Marok që prej trazirave të viteve 2016–2017 në rajonin e Rifit, duke rikthyer tensionin social në vendin e Afrikës së Veriut./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme