Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner pritet të udhëtojnë për në Egjipt të martën dhe të mbërrijnë atje të mërkurën, në kuadër të negociatave për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamas dhe përfundimin e konfliktit në Gaza, sipas burimeve të njohura për CNN.
Negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit ndodhen aktualisht në Sharm el-Sheikh, ku po përpiqen të finalizojnë detajet logjistike të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve, pasi Hamas pranoi me kusht pjesë të propozimit 20-pikësh për paqe të presidentit Donald Trump. Witkoff dhe Kushner kanë qenë të përfshirë ngushtë në përgatitjen e këtij propozimi. Presidenti Trump i ka përshkruar ata si “ekip A+” dhe ka shprehur besimin se një marrëveshje do të arrihet së shpejti.
Sipas burimeve, qëllimi është të arrihet një marrëveshje gjatë kësaj jave, megjithatë ende nuk është e qartë nëse kjo do të jetë e mundur. Po ashtu, është raportuar se negociatorët nga Katari dhe Egjipti mund të përgatisin disa hapa të dakorduara deri në mbërritjen e Kushner dhe Witkoff.
Ndërkaq, ish-ministri izraelit i Drejtësisë dhe arkitekti i Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993, Yossi Beilin, ka shprehur optimizëm për bisedimet aktuale për armëpushim në Gaza, duke vlerësuar rolin udhëheqës të presidentit Trump në këtë proces.
“Jam optimist sepse besoj se Presidenti Trump nuk do të dorëzohet lehtë,” tha Beilin në një intervistë për CNN në emisionin ‘Connect the World’. “Ai po përpiqet intensivisht për të avancuar përpjekjet drejt përfundimit të luftës, lirimit të pengjeve dhe krijimit të një force alternative që do të qeverisë Gazën.”
Duke u ndalur tek një nga çështjet kyçe, afati kohor për tërheqjen e Izraelit nga Gaza, Beilin tha se shumica e izraelitëve mbështesin këtë hap dhe hodhi poshtë diskutimet në radhët e së djathtës ekstreme lidhur me rindërtimin e vendbanimeve në enklavë. “Tërheqja nga Gaza nuk është një hap i vështirë. Në një moment të caktuar, sidomos nëse ka një zëvendësim serioz të Hamasit, Izraeli do të jetë i gatshëm të tërhiqet,” shtoi ai, duke theksuar se grupet radikale në qeveri nuk përfaqësojnë shumicën.
Rama: Vijojmë punën për të liruar hapësirat publike të zaptu...
AAK ngre alarm për probleme teknike në regjistrimin e votues...
Malisheva vazhdon fitoret, mposht edhe Drenicën
Zjarre të forta në Australi, deri në 16 shtëpi të shkatërrua...
“I turpshëm” – Provokimi me flamurin rus, Zotëria i Parë e q...
SHBA dhe Ukraina kërkojnë nga Rusia “përparim” në bisedimet ...