SHBA mbyll kampin e emigrantëve, dëbon mijera refugjatë

12:53 | 25 Shtator 2021

Autoritetet amerikane zbrazën kampin provizor të ngritur nga mijëra emigrantë nga Haiti që zunë vend këtë muaj në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.

Zgjidhja u gjet të premten pas marrëveshjes me qeverinë meksikane.

“Deri sot, kemi kthyer me avionë drejt Haitit rreth 2 mijë individë. 8 mijë veta janë kthyer vullnetarisht në Meksikë, mbi 12 mijë do paraqiten para gjykatës dhe 5 mijë të tjerë duhen përcaktuar për kthim ose jo,” deklaroi Sekretari amerikan për Sigurinë e Brendshme.

Situata në kufirin me Teksasin provokoi reagime të forta politike dhe publike kur u bënë të njohura pamjet e patrullave që pengonin me forcë refugjatët të cilët tentonin të hynin në territorin amerikan.

Presidenti Joe Biden tha se oficerët e përfshirë në ngjarje do të hetohen.

“Sigurisht që unë mbaj përgjegjësi, sepse jam presidenti. Ishte tronditëse ajo që pamë, t’i trajtosh njerëzisht ashtu, t’i shkelësh me kuaj, t’i fshikullosh me kamxhik. Ishte skandaloze, më tepër se e turpshme, dhe i dërgoi botës sinjalin e gabuar sepse nuk jemi si ata.”

Qeveria demokrate është treguar më humane, siç shprehet ajo, për çështjen e emigrantëve që vijnë nga jugu.

Refugjatët nga Haiti kanë emigruar këto javë prej varfërisë, paqëndrueshmërisë politike dhe për arsye humanitare pas tërmetit të muajit të shkuar, ndërsa 19 mijë haitianë po presin në Kolumbi për t’u nisur edhe ata drejt tokës amerikane./oranews

Lajmet më të lexuara