Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja të cilat shënjestrojnë kompanitë, entitetet dhe individët iranianë që janë kryesorë në sektorin e naftës.
Departamenti i Thesarit në SHBA tha se përmes aktivitetit të tyre, të sanksionuarit, mbështesin Forcën Kuds, që është pjesa elite paramilitare dhe e spiunazhit e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike.
“Regjimi në Iran përdor sektorin e naftës për të financuar aktivitetet destabilizuese të kësaj force”, tha Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, në deklaratë.
“Regjimi iranian vazhdon të ketë në prioritet mbështetjen e tij për entitetet terroriste dhe programin e tij bërthamor”, shtoi ai.
Ndër të sanksionuarit janë Ministria Iraniane e Naftës, Kompania Kombëtare Iraniane e Naftës (NIOC) dhe Kompania Kombëtare Iraniane e Cisternave.
Sanksionet ngrinë çdo pasuri në Shtetet e Bashkuara të atyre që janë në listën e zezë dhe në përgjithësi ndalon amerikanët të bashkëpunojnë me të sanksionuarit.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur që kur presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme më 2018 nga marrëveshja bërthamore me Iranin e arritur nga presidenti, Barack Obama më 2015.
Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet që ishin lehtësuar në bazë të marrëveshjes, si dhe kanë shtuar disa të reja.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se sanksionet janë pjesë e një fushate presioni maksimal për të kufizuar aftësinë e regjimit iranian, për të kërcënuar fqinjët e tij dhe për të destabilizuar Lindjen e Mesme.
“Disa blerës të naftës iraniane duhet ta dinë se ata po ndihmojnë për të financuar veprimtarinë malinje të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë mbështetjen e tij për terrorizmin”, tha Pompeo në një deklaratë.
Sanksionet vijnë gjithashtu pasi Shtetet e Bashkuara javën e kaluar pretenduan se Irani ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Irani e quajti akuzën “të pabazë”./rel
Kurti pret përfaqësues të Parlamentit britanik në Prishtinë,...
Gjeneralmajori i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Osborn uron Kos...
Zhbllokohet rruga drejt Malit të Zi, lejohet qarkullimi për ...
Trupat shqiptare në stërvitje për KFOR ’36 në Gjermani, Veng...
Përfundojnë bisedimet në Gjenevë, Zelensky akuzon Rusinë për...
Arrestohet një i ri në Ferizaj, konfiskohet armë zjarri edhe...